Rusia “sheh” mundësi për marrëveshje me Perëndimin

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i ka sugjeruar të hënën presidentit rus, Vladimir Putin që Moska të vazhdojë rrugën diplomatike, në përpjekjet për të siguruar garanci të sigurisë nga Perëndimi, ndërkohë që rriten tensionet rreth Ukrainës.

Lavrov i ka thënë Putinit se Shtetet e Bashkuara kanë bërë propozime konkrete për zvogëlim të rreziqeve ushtarake, mirëpo ka thënë se nuk kanë qenë të kënaqshme përgjigjet nga Bashkimi Evropian dhe aleanca ushtarake e NATO-s.

Në një komunikim televiziv, Putin është parë duke i kërkuar Lavrovit nëse ka mundësi të arritjes së marrëveshjes për të adresuar shqetësimet ruse për siguri, apo nëse palët janë vetëm duke hyrë në negociata të vështira.

Lavrov ka thënë se pala ruse tashmë ka paralajmëruar më shumë se një herë “që nuk do të lejojë negociata pafund për pyetjet që kërkojnë zgjidhje sot”.
“Mirëpo si ministër i Jashtëm, duhet të them se ka gjithmonë mundësi”.

Këto komente janë parë si shenjë për ulje të mundësisë së pushtimit rus, pas paralajmërimeve të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara se Rusia mund të sulmojë Ukrainën në çdo kohë.

Moska, e cila ka mbledhur më shumë se 100,000 trupa afër kufirit të Rusisë me Ukrainën, ka mohuar planet për pushtim dhe ka akuzuar SHBA-në dhe aleatët e saj për histeri.Lavrov ka thënë se ka pranuar përgjigje “jo të kënaqshme” pas një letre që u ka dërguar dhjetëra anëtarëve të BE-së dhe NATO-s sa i përket “sigurisë së pandashme” – referencë ndaj ankesës së Rusisë se Ukraina dhe shtetet e Perëndimit janë duke rritur sigurinë në kurriz të Rusisë dhe se kjo përbën shkelje të marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Kam pranuar përgjigje jo të kënaqshme, asnjëri prej kolegëve ministra nuk i është përgjigjur drejtpërdrejt mesazhit”, ka thënë ai.

“Prandaj ne do të kërkojmë reagim konkret nga secili shtet”.

Në kërkesat e Moskës ndaj Perëndimit përfshihen edhe ato që:

Ukraina të mos pranohet në NATO
NATO-ja t’i japë fund aktivitetit ushtarak në Evropën Lindore dhe të tërheqë trupat nga Polonia dhe republikat baltike, Estonia, Letonia dhe Lituania
Aleanca veriatlantike të mos pozicionojë raketa në shtetet afër apo në kufi me Rusinë
Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja janë përgjigjur duke thënë se Ukraina ka të drejtë të zgjedhë aleatët e vet, mirëpo i kanë ofruar Rusisë mundësinë e negocimit rreth raketave dhe çështjeve tjera.

Nëse Rusia pushton Ukrainën, kjo nuk do të ishte hera e parë.

Rusia ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014.

Ky vend po ashtu mbështet rebelët në konfliktet në rajonet lindore të Ukrainës, në të cilat kanë vdekur rreth 14,000 persona.


Shtuar 14.02.2022 16:21