Spartak Ngjela një nga miqtë më të afërt të Kurt Kolës, rrëfen në një intervistë ekskluzive për News 24 vitet e tyre të burgut, idetë për rrëgjimin komunist, por edhe periudhën që pasoi me ndryshimin e sistemit në vitin 1990 dhe përplasjet me Sali Berishën.
Ngjela tregon momentet kur 8-vjeçari Kurt Kola u internua së bashku me të ëmën, pasi i ati dhe dy vëllezërit u arratisën për në Jugosllavi, ku edhe u vranë nga UDB-ja. Sipas Ngjelës hakmarrja e Enver Hoxhës ndaj familjes Kola merr shkas nga një ngjarje gjatë luftës, kur babai i Kurt Kolës i kërkoi Abaz Kupit ta vriste diktatorin.
Është ndarë nga jeta Kurt Kola, i cili bëri 25 vite burg. Kush ishte Kurt Kola?
Kurt Kola, ashtu siç e kam shkruar rridhte nga një familje patriotike e nivelit të lartë. Fisi i tij u përfshi në luftra për dinjitetin kombëtar, kundër perandorisë osmane, kundër pushtimit të Italisë, Gjermanisë e kështu me radhë. Kurt Kola ishte i fundit i fisit të tyre sepse të tjerët u eliminuan. Dy vëllezër të Kurtit dhe babai kishin krijuar formacionin e tyre ushtarak kundër tiranisë komuniste në malet e veriut. Në momentin kur rezistenca ndaj regjimit komunist mori fund ata ikën, kaluan kufirin dhe vajtën në Jugosllavi. UDB i vrau me kërkesë të Enver Hoxhës. Duhet të kemi parasysh një gjë, ka qenë një takim i famshëm mes Abaz Kupit dhe Enver Hoxhës në një nga zonat e Veriut. Enveri filloi ta dridhte. Babai i Kurtit i tha Abazit “Duhet vrarë Enveri”. Por nuk e la Abaz Kupi. Enver Hoxha ia mbajti mend këtë Bilal Kolës (babait të Kurtit) dhe i kërkoi UDB-së ta vriste pasi në atë kohë ai kishte marrëdhënie të mira me Jugosllavinë. U vra babai i Kurt Kolës dhe dy vëllezërit e tij, 17 dhe 19 vjeç.
Pas vrasjes së babait dhe dy vëllezërve, familja e Kurt Kolës internohet…
Ai regjim ishte, internuan Kurtin 8-vjeçar dhe nënën e tij. Kurt Kola bëri dhe burg politik dhe në 1991 u lirua.
Në kujtimet që ai ka botuar, përmend edhe takimin tuaj të parë. Ka qenë burgu I Burrelit. Si e kujtoni takimin me Kurt Kolën në Burrel?
E kujtoj në mënyrë të veçantë. Ishte nga të paktët që fliste hapur. Nuk mund të flisje dot hapur kundër komunizmit se të ikte koka. Ai që e merrte përsipër bënte një akt trimërie. Në na vunë në një dhomë dhe u bëmë miq. Në situata të tilla, njeriu mund të bëhet mik me tjetrin në 5 minuta sa nuk bëhet për 50 vjet. U bëmë miq për 5 minuta dhe vendosëm të rezistonim kundër regjimit. Kur erdhi problemi i rrëzimit të pushtetit komunist u tregua humanist. Në pozicionet që ka qenë është treguar humanist.
Çfarë e bënte Kurt Kolën humanist?
Ka mundësia që vuajtja e ka bërë humanist. Vuajtja e një personi me intelekt të lartë të çon në humanizëm, nuk të çon në ekstremizëm. Vuajtja e një personi me nivel të ulët intelektual të çon në hakmarrje.
Ju jeni takuar me Kurt Kolën edhe në Burrel, keni qëndruar 10 vite bashkë?
Po kemi qëndruar 10 vite dhe pastaj shkuam në Kosovë. Kur shkuam atje regjimi ishte drejt rënies. Me njeri tjetrin, por edhe me miq të tjerë biseduam dhe arritëm në konkluzionin që këta do rrëzohen, por më pas çdo ndodhë? Ardhjen në pushtet e Sali Berishës si ish komunist Kurt Kola nuk e pranoi dhe filloi konflikti i dytë i tij me regjimet në pushtet që drejtonin në Tiranë. Është nga të parët që goditi Sali Berishën dhe ishte e rëndë për të se ai ishte një ish komunist kurse ky vinte nga shtresat 40 vite i persekutuar nga komunizmi. Dhe rezultoi e saktë analiza që Kurti bëri./BW/