Në kafiteritë e Shkupit po bëhen përgatitjet e fundit një ditë para se të hapen për klientët.
Këta të rinj po sistemojnë tavolinat e lokalit ku punojnë duke respektuar distancën sipas masave të qeverisë, shkruan gazeta LAJM.
Ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, njoftoi se me punë do të nisin vetëm lokalet që kanë terrasa, ndërsa do të jenë të hapur deri në ora 20:00.
Qeveria vendosi mbylljen e objekteve hotelierike nga mesi i muajit mars për shkak të përhapjes së koronavirusit. Gjatë kësaj periudhe, pronarët e lokaleve, thonë se kanë pësuar shumë humbje.
Nga sot qeveria ka vendosur të anulojë edhe orën policore që u aplikua për 65 ditë. Qytetarët e anketuar mirëpresin këtë vendim por thonë se masat mbrojtëse nga koronavirusi duhet të respektohen.
Ndërkohë, hapja e kufijve pritet të bëhet brenda pesë ditëve, por ende nuk është përcaktuar nëse kalimtarëve do t’u kërkohet testi për korona virusin gjatë hyrjes në vendin tonë.
