Sot është mbajtur takimi i radhës së Komitetit për koordinim dhe vlerësim të situatës me COVID-19, ku kanë marrë pjesë kryeministri i vendit, Albin Kurti si dhe ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.
Kurti ka thënë se zbatimi i masave kundër COVID-19 është çështje urgjente dhe se çfarëdo lirimi i masave është i lidhur me zbatimin e masave në fuqi.
Ai tha se prania e variantit “Omicron” në shtete të ndryshme dhe mosrespektimi i masave në fuqi, sipas tij mund t’i përmbys të arriturat e deritanishme në luftën kundër koronavirusit.
Ndërkaq, ministri Rifat Latifi tha se zbatimi me disiplinë i masave në fuqi, të cilat janë proporcionale në raport me gjendjen ekzistuese epidemiologjike, do të ketë dy rezultate të prekshme.
“Do ta na ndihmojë të mbajmë numrin e rasteve sa më të vogël, duke mos e ngarkuar personelin dhe infrastrukturën spitalore, rrjedhimisht edhe uljen e shpenzimeve kundër COVID-19 dhe do të ndikojë në nxitjen e vaksinimit të mëtejmë të popullatës me vaksinën kundër COVID-19, në veçanti të asaj kategorie që për arsye të ndryshme ende nuk ka marrë dozën e parë apo të dytë të vaksinës”, tha ministri i Shëndetësisë.