Ademi: Viti shkollor do të mbyllet online, cili është plani për maturantët

Ministri i Arsimit dhe Shkencës në Maqedoninë e Veriut Arbër Ademi, tha sot se viti shkollor nuk do të përsëritet, derisa e vlerësoi si të suksesshëm realizimin e mësimit online.

“Reaguam shpejt dhe me efikasitet. Ndërprerja e procesit arsimor zgjati vetëm disa ditë dhe pastaj filloi në mënyrë online të realizohet. Viti shkollor filloi të realizohet, që nënkupton se ky vit shkollor nuk do të përsëritet. Ky ishte opsioni më i mirë kur nuk ka opsion tjetër”, tha Ademi.

Ai foli edhe për maturën shtetërore, ku sqaroi se tani për tani po shqyrtohen dy propozime, njëri që provimi në fjalë të mbahet gjatë muajit qershor dhe tjetri që ky provim të shtyhet.

Megjithatë, ai tha se këto propozime dhe një sërë masash të tjera do të shqyrtohen në mbledhjet e ardhshme të Qeverisë.


Shtuar 29.04.2020 12:07