Një ngjarje tragjike ka ndodhur orët e para të mëngjesit të sotëm në Bullgari. Një autobus me targa maqedonase është djegur dhe për pasojë kanë humbur jetën 45 pasagjerë, shtetas të Maqedonisë së Veriut. Nga 52 personat që ndodheshin në autobus, vetëm 7 kanë arritur të mbijetojnë, të cilët po marrin ndihmë mjekësore në spital.
Korrespondenti i BGNES nga Shkupi raporton se presidenti Rumen Radev dhe kryeministri i përkohshëm Stefan Janev biseduan me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Ata e kanë njoftuar për ngjarjen e rëndë dhe Zaev, së bashku me ministrin e Jashtëm Bujar Osmani dhe ministrin e Shëndetësisë Venko Filipçe janë nisur drejt vendit të ngjarjes.
Zaev ka shprehur ngushëllime për tragjedinë.
Për shkak të aksidentit të rëndë në kilometrin e 31 të autostradës Struma në drejtim nga Sofja në Bllagoevgrad, autostrada do të qëndrojë e mbyllur gjatë gjithë ditës, së paku në drejtim të Bllagoevgradit./albeu.com