Më 26 nëntor do të mbahet mbledhja e ardhshme mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë. Kjo do të jetë mbledhja e shtatë mes dy qeverive.
Mbledhja e ardhshme e përbashkët mes qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës do të mbahet më 26 Nëntor në qytetin e Elbasanit. Kjo është bërë e ditur nëpërmjet një njoftimi të qeverisë së Kosovës.
“Në këtë takim të sotëm, që u mbajt një javë para mbledhjes së shtatë të përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, e cila do të mbahet me 26 Nëntor, u bisedua edhe për marrëveshjet e deritanishme në mes dy vendeve tona dhe ato potenciale të reja në fushën e sigurisë”, thuhet në njoftimin e qeverisë së Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së premte ka mbajtur një takim edhe me ministrin e Brendshëm të Shqipërisë, Bledi Çuçi. Në takim ishte prezent edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovës, Qemal Minxhozi.
Siç është bërë me dije gjatë takimit wshtw diskutuar për bashkëpunimin e deritanishëm në mes dy vendeve, me theks në fushën e sigurisë.
“U bisedua edhe për marrëveshjet e deritanishme në mes dy vendeve tona dhe ato potenciale të reja në fushën e sigurisë. Kryeministri Kurti dhe ministri Sveçla u shprehën vullnetplotë për intesifikimin dhe fuqizimin e marrëdhënieve në mes dy shteteve në fushën e sigurisë, si fushë e interesit të përbashkët”.
Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë që nga viti 2014 mbajnë mbledhjet e përbashkëta ku premtohet në vazhdimësi për bashkëpunim të ndërsjellë dhe nënshkruhen marrëveshje në fusha të ndryshme.
Këto marrëveshje kanë pasur për qëllim një qeverisje të përbashkët strategjike, në veçanti eliminimin e barrierave tregtare mes dy shteteve.
Por, shumë herë qeveritë janë kritikuar se marrëveshjet e nënshkruara kanë mbetur vetëm në letër, pa u zbatuar në praktikë.
Në Kosovë institucionet nuk ka ndonjë të dhënë të publikuar se sa këto marrëveshje janë zbatuar në praktikë.
Në mbledhjen e fundit në Tiranë është nënshkruar edhe një deklaratë e përbashkët ndërmjet dy qeverive dhe Këshillit të ministrave të Republikës së Shqipërisë, për t’i rekomanduar Kuvendit të Kosovës dhe Kuvendit të Shqipërisë mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara në mes të dy qeverive./Monitor