“Nuk kam kohë”, kërkohet dorëheqja e ministres Bora Muzhaqi pas mospërgjigjes mbi abuzimet me fëmijët

Partia Demokratike ka reaguar ashpër kundër ministres Bora Muzhaqi, e cila nuk i’u përgjigj pyetjeve të gazetarëve mbi situatën e abuzimeve me të miturit.

Reagimin Partia Demokratike e ka bërë nëpërmjet deputetes Ina Zhupa, ku ka kërkuar sot dorëheqjen nga detyra të Ministres për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi.

Postimi i plotë:

Sot tregove se nuk je e denje per detyren qe mban

Dy realitete krejt të ndryshme kishte sot në Tiranë. Familjarët e Mateos, të dërrmuar nga dhimbja, që kërkojnë ndihmën e qytetarëve për të firmosur kthimin e dënimit me vdekje dhe Ministrja e Edi Ramës për fëmijët, që shpërfill me buzëqeshje dhimbjen e pamasë për vrasjen makabre të vogëlushit. Bora Muzhaqi ikën pa thënë asnjë fjalë për të, pa treguar aspak dhimbsuri, përulësi dhe përgjegjshmëri për detyrën e saj.

Kur të shihni videon, jam e sigurtë se do të revoltoheni njësoj si unë. Dhe nuk e them këtë, sepse unë jam deputete e opozitës, që shoh më të këqijat tek qeveria. Jam e revoltuar si nënë dhe si qytetare, kur shoh Ministren për Fëmijët të na përpalsë në fytyrë VKM-në e detyrave të saj.

Zonja Ministre! Ju sot duhet të jepni dorëheqjen, sepse nuk jeni e denjë të bëni politika për fëmijët tanë!

Jeta dhe mirëqenia e një fëmije është çështje shumë më e madhe sesa një VKM. Por ju këtë zonja Ministre nuk mund ta kuptoni, sepse jeni në atë detyrë jo për meritën tuaj, por sepse Edi Ramës i duhet buzëqeshja juaj!/albeu.com/


Shtuar 18.11.2021 15:22