Rama: Nga 31 dhjetori, të gjitha shërbimet publike do të jenë online

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Kuvend njoftoi se duke filluar nga 31 dhjetori i këtij viti të gjitha shërbimet do të jepen online.

Rama bëri dhe një krahasim  me Italinë, ku vuri në dukje se vendi ynë është para në procesin e digjitalizimit.

“Sot ishte lajm në të gjitha mediat italiane, vajtja e Presidentit të Italisë për të tërhequr certifikatën online. Dhe ndërkohë debati ishte lidhur me faktin që ende shërbime të ndryshme nuk mund të ofrohen për shkak të mosofrimit të ndërlidhjes së bazave të të dhënave. Ndërkohë që kjo për ne tashmë është histori. Jo vetëm certifikatat janë online prej vitesh, por me 31 dhjetorin e këtij viti mbyllen online të gjitha shërbimet publike të dokumenteve që nuk kanë nevojë për prani fizike. Dhe ne ndërkohë hymë në fazën e  mbylljes së ciklit jo vetëm për aplikimet online dhe dhënien e dokumentit online me vulë elektronike, por të gjitha shërbimet. Platforma e Bashkëqeverisjes ka kaluar në Kuvend dhe është ligj duke e cuar në një nivel tjetër rrjetin tradicional të komunikimit të qytetarit me institucionet”, tha Rama./albeu.com


Shtuar 15.11.2021 10:29