Hije skandali pas kontratave koncesionare shëndetësore që qeveria ka lidhur përgjatë periudhës së pandemisë. Pas “lupës” së auditimit, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka gjetur se nga fondet e qeverisë janë dhënë miliarda lekë për kontrollin bazë mjekësor të popullatës (check-up) për një shërbim të pakryer e mbi të gjitha, me kosto ekstra.
BAZA LIGJORE
KLSH-ja e mbështet konstatimin në nenin 51 të ligjit “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në republikën e Shqipërisë”, në të cilin thuhet shprehimisht se disa veprimtari me interes të përgjithshëm, si ajo për ilaçet e shërbimet mjekësore, përjashtohen nga TVSH-ja.
Në pikën c të nenit të lartpërmendur përmenden: “Furnizimi i shërbimeve shëndetësore dhe veprimeve të lidhura ngushtë me to, që kanë për qëllim mbrojtjen e shëndetit të shtetasve, përfshirë parandalimin, diagnozën, trajtimin, kurimin e sëmundjes apo çrregullimeve shëndetësore dhe rehabilitimin nga institucionet shëndetësore publike ose private, të njohura si të tilla nga autoritetit kompetent shëndetësor”. Në këtë mes, i vetmi i fituar është koncesionari, i cili ofron një shërbim shëndetësor njëjtë sikur të zhvillonte çdo biznes tjetër, ndërsa barra bie mbi qytetarët që paguajnë dy herë
KOSTO SHTESË
Nga arka e shtetit, institucioni më i lartë auditues nënvizon se janë lëvruar përmes fondit të sigurimeve të kujdesit shëndetësor 4.2 miliardë lekë, në një kohë që shërbimi faktik duhet të ishte 1.1 miliardë më pak, se 3.3 miliardë, thotë KLSH-ja. Një vlerë prej 930 milionë lekësh, referuar kontratës së shërbimit që ka shqyrtuar auditi, është financim për raste të pakryera. “Gjatë vitit 2020 është kryer pagesa e shërbimit të periudhës nëntor 2019 deri në mars 2020 kur edhe është pezulluar zbatimi i kësaj kontrate si pasojë e pandemisë.
Nga auditimi konstatohet se shërbimi është hapur për pak ditë në muajin Shtator dhe për të cilin është kryer një pagesë në shumën 2.1 milion lekë për rastet e kryera. Në total nga këto pagesa evidentohen 2127 raste në shumën 3.9 milionë lekë, të cilat janë paguar për shërbim të pakryer. Për rastet që janë faturuar nga koncesionari përgjatë muajve kur ka ndodhur pezullimi i kontratës si pasojë e pandemisë, nuk janë pranuar nga FSDKSH”, detajon KLSH-ja në raportin përmbledhës të auditimit të të gjithë sektorëve mbi mënyrën se si është shpenzuar buxheti për 2020-ën.
Fakti më i rëndë është se edhe për vitin 2020 konstatohet se vijojnë të likuidohen fatura tatimore mujore për “check up”, me TVSH. Ato janë në vlerën totale të 322,322 mijë lekëve, në të cilën përfshihet edhe TVSH-ja në masën 20% mbi vlerën e shërbimit shëndetësor, ndërkohë që ky shërbimi duhet të trajtohet si Furnizim i Përjashtuar nga TVSH, sipas përcaktimit ligjor.
Një gjë e tillë është vënë re edhe në auditimet e mëparshme nga KLSH-ja, për të cilën është paraqitur edhe interpretimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, e cila këmbëngul se ky shërbim është i tatueshëm njëjtë si të tjerat./Panorama/