Ditën e sotme është mbajtur ceremonia për 30-vjetorin e krijimit të repartit RENEA.
Të pranishëm në organizim kanë qenë ministri i Brendshëm Bledi Çuçi dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano.
Forca RENEA ka pasqyruar edhe mjetet e saj operacionale që përdoren për rastet e jashtëzakonshme.
“RENEA ka bashkëshoqëruar çdo aksion të bujshëm. Sot është elita e policisë së shtetit dhe ky titull nuk i është dhënë as përmes ndonjë procedure të mistershme apo akti burokratik. E ka fituar me jetët e humbura. Me djersë, me aksione në terrene të vështira.
Gjatë rrugëtimit të vet në këto 30 vite ky repart ka pësuar ndryshime për të arritur deri aty ku është sot. Siguroj çdo oficer të RENEA-s për mbështetjen time dhe kësaj qeverie në përballje me krimin dhe fenomene të tjera të paligjshme”, tha ministri.
Në fund të ceremonisë Nano dhe Çuçi u ndalën të shohin nga afër disa nga mjetet që përdor RENEA në aksione të befasishme që shpesh herë kanë edhe rrezikshmëri të lartë. Pjesëtarët e këtij reparti shpjeguan edhe funksionin e këtyre pajisjeve dhe rastet kur ato përdoren.
“Droni që kontrollon hapësirat lart ku nuk ngjitemi dot për të verifikuar. Aparati i skanimit është teknologji e re. Skaneri belg komandohet nga distanca. Roboti kanadez na ndihmon të mos shkojmë ne te pako e dyshimtë, por të dërgojmë robotin”, u shpreh një efektiv i RENEA-s./albeu.com/