Dy orë para paralajmërimit të Ramës, Leli pastron pyllin e Sodës (FOTO LAJM)

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar sot bashkitë për sanksione, nëse nuk marrin masa për pastrimin e qytetit.

Rama mori shembull bashkinë e Vlorës, duke thënë se, për pastrimin e pyllit të Sodës mjafton kryetari Dritan Leli dhe 5 veta për ta pastruar.

“Ky është një pyll që kryetari i bashkisë mund ta bëjë me makinë për tre minuta nga hyrja deri në dalje. Këtu nuk ka nevojë as për ushtri. Këtu mjafton kryetari i bashkisë dhe 5 veta të tjerë me një qese në dorë çdo ditë duke u thënë qytetarëve mos na ktheni më këtu, pylli i Sodës do merrte pamje tjetër. Por kjo është temë tjetër”, tha Rama sot.

Por, disa orë para postimit të Ramës, kryetari i Bashkisë së Vlorës, ka ndarë në rrjete sociale disa foto duke pastruar pyllin e Sodës.

“Aksionin ndërgjegjësues për të ruajtur mjedisin, jo pa qëllim e bëmë te Pylli i Sodës, për t’ju treguar që edhe pse u angazhuam ta pastrojmë për muaj të tërë dhe t’i rikthejmë ajrin që i kishte munguar, mbeturinat ishin hedhur sërish, gjithandej.

Ka qenë gjithëpërfshirës angazhimi i këtij mëngjesi. Administrata e Bashkisë Vlorë, Ndërmarrja e Shërbimeve Publike, Ujësjellësi dhe Njësitë Administrative, një ekip prej rreth 1100 punonjësish, e lanë të dielën e familjeve të tyre për t’u treguar të gjithëve se asnjë ditë pushimi nuk do të kishte vlerë në një ambient të ndotur, se askush nuk mund të pushojë mes mbeturinash. Duajeni mjedisin, duajeni veten!  #çdoditëpërvlorën”, shkruan Leli.

Nuk dihet nëse kjo ishte një rastësi, apo e planifikuar. Ajo që dihet është se kryeminikstri Rama dhe kreu i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, kanë pasur një ftohje të marrëdhënies së tyre që në mars të këtij viti, kur ky i fundit refuzoi të hiqte dorë nga posti i kryebashkiakut për të kandiduar për deputet./albeu.com


Shtuar 7.11.2021 15:37