Sekuestrohet një sasi e madhe droge në Fier, prangosen 7 persona

Policia e Fierit ka arrestuar 7 persona për kultivim dhe trafikim të lëndëve narkotike.

Të arrestuarit janë kapur në dy operacione të ndryshme nga “blutë” e Fierit.

Gjithashtu është sekuestruar një sasi e madhe cannabis sativa, e cila përllogaritet në rreth 60 kilogram.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet një tjetër operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.

Operacioni policor i koduar “Hamili”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Njësia Operacionale në DVP Fier në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Fier.

Gjatë operacionit goditen 2 raste, një për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe një për kultivim të bimëve narkotike.

Sekuestrohet rreth 60 kg lëndë narkotike cannabis sativa.

Vihen në pranga 7 shtetas, procedohet penalisht kryeplaku i fshatit Hamil.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Njësia Operacionale në DVP Fier, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Fier, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë policore, bënë të mundur finalizimin me sukses të operacionit policor të koduar “Hamili”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Hamil, në stallën në pronësi të shtetasit A. H., janë gjetur dhe sekuestruar 60.4 kg lëndë bimore cannabis sativa si edhe në tokën e tij të mbjellë me misër u gjetën të kultivuara bimë cannabis sativa.

Në vijim të veprimeve, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim dhe “Kultivimi i bimëve narkotike” shtetasi A. H., 42 vjeç, banues në Hamil, si edhe u arrestuan për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim shtetasit Z. K., 36 vjeç, A. K., 24 vjeçe, F. K., 38 vjeçe, H. K., 60 vjeçe dhe F. K., 34 vjeçe, banues në fshatin Baltëz, të cilët u gjetën në stallën e shtetasit A. H., duke kryer procesin e tharjes së bimëve narkotike.

Gjithashtu u procedua penalisht për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, kryeplaku i fshatit Hamil, shtetasi S. H., 56 vjeç.

Gjatë kontrollit të territorit, po në këtë fshat, në tokën e mbjellë me misër të shtetasit E. H., 39 vjeç, u gjetën të kultivuara bimë narkotike cannabis sativa.

Në përfundim të veprimeve, u arrestua në flagrancë shtetasi E. H., 39 vjeç, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Fier për veprime të mëtejshme/albeu.com/


Shtuar 25.10.2021 12:24