PS flet për vettingun e politikanëve, Gjylameti: Rama në komision? S’e ka për herë të parë

Komisioni Hetimor për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit do të thërrasë për të dëshmuar 24 funksionarë publikë.

Lista ka emra nga kryeministri Edi Rama, zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, kreu i SPAK Arben Kraja, drejtuesin dhe ish-drejtuesin e policisë së Shtetit Gledis Nano dhe Ardi Veliu e deri te dy gazetarët Armand Shkullaku dhe Andi Bushati.

Por a do të shkojë Edi Rama në Komisionin Hetimor që ka ngritur opozita? Deputetja socialiste, Blerina Gjylameti, anëtare e këtij komisioni u shpreh sonte në “Radarin Informativ” në “ABC” se “Nuk besoj që do të jetë hera e parë, kryeministri ka ardhur edhe herë të tjera dhe ka dëshmuar.

Duhet parë që nëse të gjitha pikat janë objekt i hetimit. Së pari duhet të shikojmë çështjet që kanë parashtruar, dokumentacionin dhe personat nëse janë në funksion të hetimit” tha ajo.

Por a do të mbajë përgjegjësi shumica nëse pas hetimit rezulton se ka pasur shkelje? “Absolutisht po. Asnjëherë nuk kemi dhënë mbrojtje politike. Do të duhet të përballen me drejtësinë, që thotë fjalën e fundit” tha ajo duke “thumbuar” PD-në “problematikat që kanë duhet t’i zgjidhin mes vetit dhe jo ti gjejnë te PS”.

Lulzim Basha njoftoi sot dorëzimin ditën e mërkurë në Kuvend të tre drafteve, reformën territoriale, zgjedhore dhe vettingun e politikanëve, që kërkon që ta bëjë një njësi e veçantë në SPAK. Partia Socialiste duket se do i hapë rrugën kësaj nisme. Kështu të paktën la të kuptohet përgjigja e Blerina Gjylametit.

“Më vjen mirë që Basha ka pranuar që SPAK funksionon dhe nuk është i prekur politikisht. Më në fund ja kemi dalë që institucionet e reja të drejtë të jenë të pavarura” deklaroi deputetja socialiste./abcnews.al