Një turist britanik ka qenë viktimë e një pengmarrjeje nga disa të rinjë në Itali.
Të rinjtë i kanë kërkuar që ky i fundit t’i kërkojë të atit rreth 7000 euro borxh, në këmbim që ta linin të lirë.
I riu ka telefonuar të atin dhe ka arritur ta sinjalizonte rreth situatës së vështirë në të cilën ndodhej, pa rënë në sy të pengmarrësve.
Ky i fundit ka shkuar menjëherë në rajonin më të afërt të Policisë për të bashkëpunuar me ta, në mënyrë që të shpëtonin të birin.
“Ai është djalë inteligjent”, tha për viktimën e pengmarrjes koloneli i karabinierëve Massimiliano Mengasini, duke shtuar se babai i tij në Britani i ishte drejtuar policisë atje, të cilët kishin nisur të bashkëpunonin me autoritetet italiane.
Karabinierët më pas gjurmuan celularin e djalit në një apartament në Monte San Giusto, në rajonin lindor të Marche.
Oficerët e gjetën viktimën të tronditur e të uritur, por relativisht të palënduar.
“Kur ai pa karabinierët ishte shumë i lehtësuar e i lumtur, sikur të kishte parë një mrekulli”, shtonte Mengasini.
Fatmirësisht, kjo pengmarrje, e cila mund të kishte rezultuar fatale, përfundoi në mënyrë të tillë që nuk pati lëndime të rënda tek turisti britanik./albeu.com