Javën që vjen, më 18 tetor, nis mësimi në Universitete për Bachelorin, ndërsa për Masterin më 10 nëntor.
Rektori i Universitetit të Tiranë, Artan Hoxha është shprehur se studentët që nuk janë vaksinuar, nuk kanë kryer testin PCR ose nuk kanë një vërtetim nga mjeku që nuk mund të bëjnë vaksinën, nuk do të pranohen në universitete.
Por nëse studentët nuk kanë mundësi të hyjnë në auditore, pse nuk zhvillohet mësim online për ta?
Kësaj pyetje rektori i është përgjigjur duke renditur arsyet.
“Unë do i përgjigjem me dy momente pyetjes, e para absolutisht mësimi online është përmirësuar, por ne kemi studentë që pas 2 vitesh nuk e njoftim universitetin nga pikëpamja fizike, nuk kanë kontakte. E dyta ata që i kemi në master, një dhe dy vjeçar na përfundon një brez i tërë që nuk kanë kontakt me auditorin.
Mësimi në auditor nuk zëvendësohet. Përsa i përket alternativës, ju duhet të dini se ka dy urdhra, i pari që mund të alternohet mësimi online. Kurse po kjo pikë, e heq platformën si mundësi dhe thotë që studentët duhet të paraqesin certifikatën apo kartën e vaksinimit.
Do ta shikojmë procesin dhe do të marrim vendime në të mirë të mbarëvajtjes dhe të shëndetit të tyre, por edhe të mos lejimit që studentët të humbasin zhvillimin e programit të vitit akademik. Kjo do të vendoset pasi të shikojmë situatën me të cilën do të përballemi”, tha ai.