Krizë? Bozdo: Synohet të përligjet rritja e çmimit të energjisë elektrike

Dy ditë më parë kryeministri Edi Rama paralajmëroi një krizë energjetike të ndikuar nga shumë faktorë. “Rama në panik, si na prek kriza?” Kjo ishte tema e emisionit “LOG” mbrëmjen e sotme në “ABC”.

Ekspertët në studio u shprehën se çmimet rriten për shkak të rritjes së lëndëve të para, por edhe sepse e gjithë bota ka kërkesë të lartë nga viti në vit për energji. Po sipas ekspertëve, “boom”-i post pandemik, ndalimi i prodhimit nga energjia bërthamore janë gjithashtu faktorë që ndikojnë.

Por çfarë duhet të bëjë shteti? “Qeveria duhet të liberalizojë tregun, lejimin e gjenerimit të vetë energjisë, që konsumatori ta vetëprodhojë, përmes paneleve fotovoltaike, që sot është një nga energjitë më të parashikueshme. Sot ke biznese dhe familjarë që janë autonomë” tha Elton Çekrezi, nënkryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë.

Çekrezi tha më tej “rritje çmimi (të energjisë elektrike) do të ketë, është një kosto që duhet ta marrë një qeveri. 30% i kapacitete që konsumojmë e marrim nga jashtë” deklaroi ai.

Por a rrezikojmë që nga kriza të kemi ndërprerje të energjisë elektrike, pra kufizime? “Nuk mendoj se do të arrijmë deri në atë pikë që të ketë kufizime” tha Çekrezi.

Ish-zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Enno Bozdo, zyrtar i Partisë Demokratike i ftuar në studio u shpreh se me deklaratën paralajmëruese për çmime marramendëse, Edi Rama kërkon që të përligjë rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

“Nuk dihet sesi do të shkojë, por mbi të gjitha ajo që duket e çuditshme nga ndërhyrja e kryeministrit, problemin, bota ka të drejtë të bërtasë që të thotë se ka krizë, Amerika i referohet gazit, nafta ende nuk mund të quhet rritje. Çmimet sot referojnë pritshmërinë që ka konsumatori në krye të 3 apo 6 muajve.

Në një Shqipëri që nuk është aspak e gazifikuar, është importues neto i energjisë, nuk kemi përse bërtasim kaq fort për krizë për sa kohë nuk dimë si do të zhvillohet kjo gjë. Për momentin duhet të ishte toni goxha më i qetë. Nuk besoj se është panikuar, ka qenë e qëllimtë, kërkon të përligjë një rritje çmimi të energjisë” tha ai./abcnews.al


Shtuar 4.10.2021 21:57