Policia e shtetit ka njoftuar këtë të martë se janë hapur aplikimet për Akademinë e Sigurisë.
Sipas policisë pjesë e kësaj mund të jenë të gjithë personat që kanë përfunduar ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë në shkencat juridike, ekonomike ose kompjuterike, me mesatare mbi 8.
Sipas Policisë, do të bëhet me dije se nga aplikimet do të pranohen 50 persona, ndërkohë që janë vendosur edhe kushte të tjera për personat që do të shpallen fitues.
Njoftimi i plotë:
Hapen aplikimet për pranimin në Akademinë e Sigurisë, të shtetasve që kanë përfunduar ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë në shkencat juridike, ekonomike ose kompjuterike, me mesatare mbi 8.
Me qëllim plotësimin e funksioneve të lira organike dhe përzgjedhjen me barazi, paanshmëri dhe transparencë të kandidatëve më të mirë, sipas parimit të shanseve të barabarta, meritës e mosdiskriminimit, hapen aplikimet për pranimin në Akademinë e Sigurisë, të shtetasve që kanë përfunduar ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë në shkencat juridike, ekonomike ose kompjuterike, me mesatare mbi notën 8.
Aplikimet fillojnë më datë 28.09.2021 dhe përfundojnë më datë 27.10.2021.
Aplikimet bëhen pranë Drejtorive Vendore të Policisë, ku aplikantët kanë vendbanimin e përhershëm.
Kuotat e pranimit në Akademinë e Sigurisë, të shtetasve që kanë përfunduar ciklin e parë dhe të dytë të studimeve të arsimit të lartë, në shkencat juridike, ekonomike ose kompjuterike, janë 50.
Kanë të drejtë të aplikojnë shtetasit që plotësojnë kriteret e përgjithshme e të veçanta, si vijon:
Kriteret e përgjithshme janë:
të jetë shtetas shqiptar;
të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të sigurisë kombëtare apo të jetë larguar nga shërbimi civil;
të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën;
të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit B;
të plotësojë kriteret për t’u pajisur me vërtetimin e besueshmërisë.
Kriteret e veçanta janë:
të ketë përfunduar studimet në ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë, në shkencat juridike, shkencat ekonomike ose shkencat kompjuterike;
të ketë mesataren mbi “8” të notave në ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë;
të jetë në moshë jo më shumë se 30 vjeç;
të jetë me gjatësi jo më pak se 170 cm për meshkujt dhe 160 cm për femrat;
të zotërojë gjuhën e huaj angleze në nivelin mbi 60 pikë, sipas standardit ALCPT;
Aplikantët duhet të paraqesin pranë strukturave të burimeve njerëzore në Drejtoritë Vendore të Policisë, dokumentacionin e mëposhtëm:
Formularin e aplikimit, të cilin mund ta shkarkojnë online (https://ëëë.asp.gov.al/ëp-content/uploads/2021/09/Formulari-i-aplikimit-per-pranimin-ne-Akademine-e-Sigurise-converted-2.pdf), ose ta tërheqin për plotësim pranë burimeve njerëzore në DVP-të ku kanë banimin;
Diplomën dhe listën e notave të noterizuar të ciklit të parë dhe të dytë të studimit. (Të dy nivelet e diplomave të jenë të të njëjtës fushë studimi, në programe studimi të akredituara). Aplikantët që kanë përfunduar arsimin e lartë jashtë vendit, duhet të paraqesin vërtetimin nga Ministria e Arsimit Sportit e Rinisë, për njëvlershmërinë e diplomave të marra jashtë vendit dhe llogaritjen e mesatares së ponderuar të ciklit të parë dhe të ciklit të dytë të studimeve;
Fotokopje të kartës së identitetit;
Fotokopje të dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”;
Certifikatë e gjendjes gjyqësore (nxirret nga struktura policore ku kryhet aplikimi);
Certifikatë familjare (nxirret nga struktura policore ku kryhet aplikim);
Vërtetim nga gjykata dhe nga prokuroria;
2 fotografi me përmasa 4 cm x 6 cm.
Fazat e vlerësimit:
Aplikantët që plotësojnë kriteret dhe paraqesin dokumentacionin e kërkuar i nënshtrohen fazave të vlerësimit si më poshtë:
Vlerësimi sipas notës mesatare të ciklit të dytë të studimeve në të njëjtën fushë studimi, vlerësim me testim i zotërimit të gjuhës angleze sipas standardit ALCPT, intervistimi i aplikantëve, kontrolli shëndetësor, marrja e shenjave të gishtave dhe verifikimit përfundimtar i aplikantit.
Komisioni i Vlerësimit, në përfundim të vlerësimit dhe kontrollit, bën renditjen e kandidatëve fitues.
Aplikantët që nuk plotësojnë kriteret apo nuk kanë paraqitur dokumentacionin e kërkuar brenda afatit të aplikimit, njoftohen me shkrim nga strukturat vendore të burimeve njerëzore për arsyet e s’kualifikimit.
Aplikantët kanë të drejtën e ankimimit tek Drejtori i Policisë Vendore, brenda 2 ditëve nga data e njoftimit të përgjigjes për s’kualifikim. Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë shqyrton dhe kthen përgjigje brenda 2 ditëve pune nga data e marrjes së ankesës.
Aplikanti që përfundon me sukses trajnimin në Akademinë e Sigurisë nënshkruan kontratë pune me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe emërohet në strukturat vendore të Policisë, sipas nevojave të Policisë së Shtetit./albeu.com