Policia e Portit në Durrës ka arrestuar sot Selim Çekajn, babain e Arbër Çekajt të arrestuar tre vite më parë pasi u kap me 613 kg kokainë.
Sot, policia ka kapur 49 kg kokainë të cilat janë gjetur brenda kontenierit të bananeve që 72-vjeçari kishte porositur nga Ekuadori.
Mësohet se Selim Çekajt ishte nën vëzhgim prej 1 muaji dhe se kokaina ishte e ndarë në 31 pako e vendosur në shtyllat anësore të kontejnerit me banane.
Pas skanimit të kontejnerit të ardhur nga Ekuadori me bananet ka rezultuar me pullë të kuqe dhe autoritete doganore kanë kërkuar që të futej në magazinë, por Selim Çekaj nuk ka pranuar që ajo të futej në magazinë duke thënë se ai ka porositur vetëm bananet. Kjo ka bërë që autoritete të hapin kontejnerin aty ku ishte duke zbuluar drogën e llojit kokainë.
Selim Çeka nuk ka pranuar që të ishte autori i saj duke thënë se ai është tregtar frutash dhe duhet ta gjejë policia se kush e ka futur drogën.
Edhe pse Selim Çekaj nuk ka pranuar kokainë në kontejner, ai është arrestuar. Arrestimi i tij ka ndodhur gjatë operacionit të Koduar “MERSIN” , që ka mbajtur emrin e portit në Turqi nga ku është nisur dhe anija me kontejnerët e bananeve ku fshihej kokaina.