Po transportonte emigrantë të paligjshëm, arrestohet 26-vjeçari në Korçë

Policia ka vënë në pranga një 26-vjeçar në Korçë, pasi u kap duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetin tip “Alfa Romeo”, 4 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Njoftimi i policisë:

Qarku Korçë

Vijon operacioni policor “Perimetri”.

U kap duke transportuar 4 emigrantë të paligjshëm  vihet në pranga 1 shtetas.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe Policinë Rrugore, në vijim të operacionit policor të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit K. H., 26 vjeç, banues në Kavajë.

Ky shtetas është konstatuar nga shërbimet e Policisë Rrugore, në aksin rrugor Korçë-Pogradec, në afërsi të fshatit Vashtmi, Maliq, duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetin tip “Alfa Romeo”, 4 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim./albeu.com


Shtuar 25.09.2021 10:42