Vizita e Merkel në Tiranë, këto janë rrugët që do të bllokohen nesër

Ditën e nesërme në Tiranë pritet të mbërrijë kancelarja gjermane Angela Merkel e cila do të zhvillojë takim me kryeministrin Edi Rama dhe liderët e Ballkanit Perëndimor.

Policia e Shtetit ka njoftuar masat për sigurimin e rendit dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të takimit të Kancelares gjermane.

Në Tiranë, në disa segmente rrugore, për motive sigurie, do të ketë bllokime dhe devijime të lëvizjes së automjeteve, konkretisht në Rinas-Unaza e Re, Sauk, Rruga e Elbasanit deri tek Pallati i Brigadave, nga ora 09:00 deri në orën 13:00 do të jenë të bllokuara.

Shoferëve u bëhet thirrje të përdorin rrugë alternative për të shkuar në destinacionet e tyre.

Shërbimet e Policisë do jenë prezente në të gjitha akset rrugore hyrëse dhe dalëse të qytetit të Tiranës dhe në rrugët e tjera në brendësi të kryeqytetit, me qëllim marrjen e masave për të siguruar dhe rregulluar trafikun në rrugët alternative, si dhe për t’iu ardhur në ndihmë përdoruesve të rrugës që do kenë nevojë./albeu.com