Ekspertët gjermanë në Tetovë, do të zbardhin shkaqet e zjarrit në spitalin Covid

Teksa në Maqedoninë e Veriut po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rënies së zjarrit në spitalin anti-covid në Tetovë, dy ekpertë gjermanë kanë mbërritur ditën e sotme atje për të hetuar shkaqet.

Bëhet fjalë për ekspertë të shkallës më të lartë për ekspertiza dhe hetime gjatë fatkeqësive nga njësiti i kriminalistikës (BKA). Qëllimi i tyre është që të ndihmojnë në zbulimin dhe vërtetimin e shkaqeve të zjarrit që shpërtheu në spitalin modular në Tetovë.

Në detyrat speciale të cilat i punon BKA është edhe ekipi që punon në hetime me viktima në katastrofa dhe fatkeqësi.

Bëhet fjalë për institucion i cili në Gjermani ka një traditë 60 vjeçare të veprimit, me afro 7000 të punësuar, shkruan Alsat. Ekipi i ekspertëve do të bashkëpunoj me MPB-në dhe do ta ndihmojë hetimin që e udhëheq Prokuroria Themelore Publike./albeu.com


Shtuar 11.09.2021 14:30