Infantino pro Botërorit çdo 2 vite: 88% e federatave janë ok

Xhani Infantino vazhdon të dërgojë përpara projektin e një Botërori çdo dy vite.

Ndërsa asambleja e Shoqatës së Klubeve Europiane të Futbollit dhe presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin kanë frenuar për këtë hipotezë të ditëve të fundit (“Botërori është një xhevahir, pikërisht se organizohet rrallë, ndërsa çdo dy vite rrezikon të humbasë prestigjin”), numri 1 i FIFA-s lëshon sinjale të tjera drejt ndryshimit të formulës.

“Të mos harrojmë se 166 federata, 88% kanë votuar për të thelluar studimin e fizibilitetit”, shpjegoi ai për “Sky Sports”. “Ne po bëjmë pikërisht këtë: po studiojmë kalendarin dhe konsultohemi me të gjithë, duke nisur nga protagonistët e futbollit dhe aktorët kryesorë, lojtarët dhe trajnerët”.

Ai u ndal edhe te tema delikate e pushimeve të kombëtareve, një moment që u bë edhe më i vështirë pas asaj që ndodhi në BrazilArgjentinë dhe Premier Ligës që nuk ka ndërmend që t’i lëshojë sërish lojtarët në pushimin e ardhshëm të kombëtareve në tetor. “Situata e kalendarit ndërkombëtar na tregon se kemi arritur limitet.

Për shkak të COVID-it, sot është shumë e vështirë për lojtarët që të udhëtojnë në të gjithë botën. E gjithë kjo nuk i bën mirë shëndetit të tyre. Ka shumë ndeshje të kota. Duhet të vlerësojmë për të gjetur një sistem më të qartë, të thjeshtë dhe të kuptueshëm për të gjithë”, përfundoi Infantino.


Shtuar 9.09.2021 10:44