Nesër afati i fundit për ata që duan të përfitojnë fonde në bujqësi

Programi IPARD II një instrument i Ndihmës së Para-Anëtarësimit (IPA) për Zhvillimin Rural i ka hapur mes të tjerash një mundësi edhe Shqipërisë.

Thirrjet për fazën e dytë u çelën vitin e shkuar, por të mërkurën e kësaj jave është afati i fundit për të dorëzuar aplikimet për të përfituar nga këto fonde.

Të lidhura

None found

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural është edhe institucioni ku duhet të dorëzohen aplikimet.

“Programi IPARD II, nga Instrumenti i Ndihmës së Para-Anëtarësimit (IPA II) për Zhvillimin Rural (IPARD), kontribuon me 94 Milionë Euro, fonde nga BE dhe Qeveria Shqiptare, për harkun kohor 2014-2020, me qëllim zhvillimin e sektorit agro-ushqimor. Programi IPARD II ka objektiv dhe prioritet mbështetjen e investimeve në sektorin agro-ushqimor, përmirësimin e konkurrencës, pajtueshmërisë me standardet e BE-së, mbështetjen e investimeve në zonat rurale me qëllim diversifikimin e ekonomisë rurale dhe krijimin e biznesit, duke çuar në përmirësimin e mundësive të punësimit dhe përfshirjes sociale” sqaron AZHBR në faqen e saj zyrtare.

Masat që mbështeten në thirrjen e dytë

Thirrja është e hapur për të gjithë personat (persona fizikë dhe juridikë), puna dhe veprimtaria e të cilëve zhvillohet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, në fushat e prodhimit bujqësor, ose të agro-përpunimit dhe rural me fokus në masat e mëposhtme:

Masa 1: “Investimet në asetet fizike të fermave bujqësore” me fokus të veçantë në sektorët e mëposhtëm: Qumësht, mish, fruta, perime, vresht.

Masa 3: “Investimet në përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore” me fokus të veçantë në sektorët e mëposhtëm: qumështi dhe përpunimi i qumështit, përpunimi i mishit, përpunimi i frutave dhe perimeve, vera

Masa 7: “Diversifikimi i fermave dhe zhvillimi i biznesit” me fokus të veçantë në sektorët e mëposhtëm: Sigurimi dhe Prodhimi i bimëve medicinale dhe aromatike, kërpudhave, mjaltit, bimëve dekorative, kërmijve; Përpunimi dhe tregtimi në nivel ferme i produkteve bujqësore (qumështi, mishi, frutat perimet dhe verës); Përpunimi dhe tregtimi i bimëve medicinale dhe aromatike të egra apo të kultivuara, kërpudhave, vaji i ullirit, mjalti, peshku dhe produktet e peshkut, prodhimi dhe tregtimi i vajrave esenciale; Akuakultura (në ujëra të ëmbla dhe të kripur): Turizmi rural dhe i Natyrës; Shërbime për popullsinë dhe bizneset rurale; Punimet e artizanatit dhe industria e manifaktures; Prodhimi i energjisë së rinovueshme./monitor/


Shtuar 14.01.2020 11:54