Rriten tensionet me Iranin, arrestohet ambasadori britanik

Ministria e Jashtme e Britanisë tha ditën e djeshme se ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Tehran është arrestuar për pak kohë nga autoritetet iraniane, ndërsa e cilësoi këtë veprim si “shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar”.

Më herët gjatë së shtunës, agjencia e lajmeve me seli në Tehran ‘Tasnim’ raportoi se ambasadori britanik, Rob Macaire, është arrestuar përballë Universitetit’ Amir Kabir’, për nxitje të protestave kundër qeverisë.

Sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab tha se “arrestimi i ambasadorit në Tehran pa asnjë bazë dhe asnjë shpjegim, është shkelje flagrante e ligjit ndërkombëtar”.

“Qeveria iraniane është në një udhëkryq”- tha sekretari Raab. “Ajo mund të vazhdojë ecjen e saj drejt statusit të të përjashtuarit me gjithë izolimin politik dhe ekonomik që kjo sjell me vete, ose të ndërmarrë hapa për të ulur tensionet dhe të angazhohet në një rrugë diplomatike përpara”, tha ai në një komunikatë të lëshuar nga zyra e tij.

Ambasadori u arrestuan në momentin kur një grup protestuesish u mblodh në Tehran duke shprehur zemërimin ndaj qeverisë iraniane, e cila mëngjesin e së shtunës pranoi fajësinë për rrëzimin e aeroplanit ukrainas që shkaktoi vdekjen e 176 personave.


Shtuar 12.01.2020 08:09