“Të rikthehen protestat!” Berisha kërcënon Ramën se do të rrëzohet si presidenti i Bolivisë

Ish-kryeministri Sali Berisha mendon se e vetmja rrugë që kryeministri Edi Rama të largohet nga pushteti është që njerëzit të ngrihen sërish në protestë.

Në një intervistë të dhënë për gazetën “Bota Sot”, Berisha tha se opozita duhet të kthehet sa më parë tek protestat ose përndryshe e ka të humbur luftën me kreun e qeverisë. Ish-kryeministri lëshoi edhe një kërcënim për Ramën, duke thënë se e pret fati i presidentit të Bolivisë, Evo Morales.

“Edvin Kristaq Zografi largohet nga pushteti vetëm me protesta. Mendoj se çdo ditë që opozita dhe shqiptarët nuk janë në protestë, është ditë e humbur për ta. Fati i Moralesit të Bolivisë, paketimi i tij në Beograd siç paketuan kreun e tyre te Meduzës bolivianët, duhet të presë Edvin Kristaq Zografin një ditë e më parë!”, deklaroi Sali Berisha.

Evo Morales u zgjodh president në Bolivi, por pas zgjedhjeve në vend shpërthyen protestat. Njerëzit kërkonin largimin e tij sepse sipas tyre, procesi elektoral ishte manipuluar.

Pas disa ditësh kryengritje, Morales u detyrya të dorëhiqej me kërkesë të ushtrisë për të vendosur paqen në vend, ndërsa më pas kërkoi azil politik në Meksikë sepse i rrezikohej jeta. Sipas Berishës, edhe fundi i Edi Ramës duhet të jetë i njëjtë.


Shtuar 2.01.2020 15:45