Dalin fotografitë, si u fsheh në kutitë e bananeve sasia e madhe e “të bardhës”

Një kamion me kokainë i cili kaloi përmes dy doganave shqiptare, atë të Hanit të Hotit dhe më pas të Qafë Thanës, u kap ditën e djeshme në Maqedoninë e Veriut.

Deri tani dyshohet se kamioni kishte 1.3 ton kokainë, por ajo u zëvendësua me paracetamol dhe allçi nga policia italiane.

Në një dalje publike, ministri teknik për Punë të Brendshme në Maqedoninë e Veriut, Naqe Çulev deklaroi se gjatë aksionit të mbrëmshëm në Krushopek të Sarajit është konfiskuar vetëm 1 kilogram.

Droga ishte fshehur në kuti me banane, fotot të cilave i ka siguruar albeu.com.

“Në shtetin tonë është konfiskuar vetëm një kilogram, sasia tjetër është në shtet tjetër, bëhet fjalë për një sasi të madhe por nuk mund ta them për të mos dëmtuar hetimin. Ditëve në vijim do të mësoheni me detajet por edhe sasinë e drogës”, tha Çulev në daljen për mediat.

Kamioni ka hyrë që dje nga dogana e Hanit të Hotit dhe ka dalë ne Qafë Thanë, për të udhëtuar drejt Maqedonisë.

Autoritet tona e kanë mbajtur nën vëzhgim, pasi kanë patur informacion për kamionin, dhe e kanë lejuar që të kaloje në Shqipëri në koordinim me të gjithë autoritetet ndërkombëtare të përfshira në këtë operacion. Në këtë aksion kanë marrë pjesë DEA Amerikane, Guardia di Financa, policia shqiptare dhe autoritete të tjera të vendeve fqinje. /albeu.com/


Shtuar 20.02.2020 13:56