“Pas vendimit të UEFA-s, gjendja fizike dhe psiqike e futbollistëve do të jetë e dobët”

Nëpërmjet video-lidhjes, UEFA dje ka zhvilluar një mbledhje emergjente me 55 Federatat anëtare, anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s dhe me përfaqësuesit e futbollit evropian në Këshillin e UEFA-s.

Federatën e Futbollit të Kosovës në këtë video-lidhje e përfaqësuan kryetari Agim Ademi dhe Sekretari gjeneral, Eroll Salihu, shkruan Zëri.info.

Në këtë mbledhje nëpërmjet video-lidhjes, presidenti i UEFA-s, Alexander Ceferin ka bërë disa propozime.

Ashtu edhe siç pritej, Kampionati Evropian i paraparë të mbahet këtë vit është shtyer për një vit dhe do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 11 korrik të vitit 2021.

Megjithatë, njëra prej pikave më të komentuara para vendimeve të djeshme nga UEFA ka qenë fati i edicionit aktual në Superligën e Kosovës.

Dje, shtëpia më e madhe e futbollit evropian ka vendosur që ligat kombëtare dhe garat evropiane për klube të mbyllen më 30 qershor 2020, kur është finalja e Ligës së Kampionëve. Për ligat e ranguara nga pozicioni 48 deri 55, ku bën pjesë edhe Kosova, afat për të përfunduar ligën është 21 qershori.

Njohësit e futbollit të Kosovës në një bisedë me Zëri.info kanë thënë se vendimi i djeshëm i UEFA-s do të lë ndikimet e veta te klubet kosovare.

Trajneri Gani Sejdiu, analisti dhe ish-futbollisti i mirënjohur, Erdin Hashani si dhe futbollisti Ard Limani kanë insistuar se skuadrat kosovare ishin përgatitur ta mbyllnin edicionin aktual me kohë.

Analisti dhe ish-futbollisti i mirënjohur kosovar, Erdin Hashani fillimisht shpreson që kjo pandemi të përfundojë sa më shpejtë.

“Shpresoj që së pari kjo situatë të mbyllet dhe të përfundojë sa më shpejtë dhe të mos ketë më të infektuar nga ky virus”, ka thënë Hashani për Zëri.info.

Hashani tutje mendon se vendimi i UEFA-s ka qenë i qëlluar, por sipas tij do të ketë ndikim pasi skuadrat ishin përgatitur që edicionin ta mbyllnin me kohë.

“Mendoj se ka qenë vendim i duhur dhe shumë i qëlluar pasi të gjithë kanë me qenë të kënaqur sepse një kampionat nëse nuk përfundohet, nuk mundet me qenë i rregulltë. E vetmja zgjidhje është të anulohet. Normalisht se do të ketë ndikim pasi të gjitha skuadrat janë përgaitur për një përfundim me kohë, por që nganjëherë këto situata nuk varen nga ne. Poashtu, gjendja fizike dhe psiqike e futbollistëve do të jetë e dobët”, shtoi Hashani, i cili drejton skuadrën e Vllaznisë së Pozheranit.


Shtuar 18.03.2020 22:29