Broja dhe Kamberi pritet të jenë risitë e Rejas në Kombëtare

Trajneri i Kombëtares Shqiptare, Edy Reja ka folur pak ditë para grumbullimit të kombëtares për dy ndeshjet miqësore me, Slloveninë dhe San Marinon.

Për “RTSH Sport”, tekniku italian shtoi se dy sulmuesit e spikatur shqiptarë Armando Broja (Chelsea) dhe Florian Kamberi (Glasgou Rangers) do të aktivizohen në takimet testuese të Kombëtares sonë.

Reja theksoi se futbollisti shqiptar që kërkohet nga shumë klube të mëdha të Europës, Marash Kumbulla, do të jetë titullar në njërin prej takimeve miqësore.

Kamberi dhe Broja – “Do të provoj disa futbollistë të rinj gjatë dy ndeshjeve miqësore (Slloveni dhe San Marino). Do të jenë të pranishëm Broja dhe Kamberi. I kam parë me vëmendje gjatë kësaj periudhe. Po mendoj të aktivizoj futbollistë të moshës së re, kryesisht të datëlindjes 1999-2000. Megjithatë, do të pres derisa të luhen dhe disa takime në mënyrë që të përgatisë listën e lojtarëve të grumbulluar.

Marash Kumbulla – “Po bën një sezon shumë të mirë me Veronën. E kam parë dhe në stërvitje me Veronën. E di që atë dhe Amir Rrahmanin i kërkoi Napoli, por Kumbulla donte të mbyllte sezonin me Veronën dhe pastaj të mendonte për të ardhmen. Ai do të luajë si titullar në njërin prej takimeve miqësore, por do ta vendos vetë se kundër kujt do të luajë”, u shpreh tekniku italian.


Shtuar 5.03.2020 12:06