2 milion euro “mall”, si u kapën dy shqiptarët “koka” në Itali

Dy shqiptarë kanë përfunduar në prangat e policisë pasi janë kapur me heroinë e kokainë me një vlerë totale prej 2 milionë euro. Ka qenë një gabim i shpërndarësve të lëndës narkotike që ka bërë që policia të bjerë në gjurmë të dy shtetasve nga Shqipëria.

Autoritetet italiane njoftojnë se në lidhje me kapjen e një sasie të madhe droge, kanë arrestuar dy shqiptarë. Ata janë Alfred Tusha, 29 vjec dhe Leonard Spahiu 44 vjec. Atyre iu gjetën 34 kg kokainë e heroinë, të ndarë në gjithsej 3 pjesë, raportojnë mediat e vendit fqinj.

Autoritetet në Itali vlerësojnë se nëse droga do të shitej në treg, do të kapte vlerën e 2 milionë euro. Dy thase janë gjetur në banesat ku jetonin shqiptarët, ku në njërin prej tyre kishte 25 kilogramë heroinë dhe 5 kilogramë kokainë. Droga ishte e ndarë në pako gjysmë kilogramëshe.

Një pjesë e lëndës narkotike u gjet nën tavolinën e kuzhinës. Në deklaratën e policisë italiane u tha se janë gjetur edhe përbërës për përgatitjen e një heroine të përzier.

Karabinierët kishin identifikuar një shpërndarës droge, ndërsa gjurmët e tij kanë cuar deri tek dy shqiptarët e arrestuar tashmë. Gjatë gjurmimit të shpërndarësit të lëndës narkotike, policia italiane vërejti se ai takohej me dy shqiptarët.

Pasi kanë biseduar, ata janë nisur në një apartament në Montesilvano në Peskara. Policia ndërhyri sapo prej banese ka dalë një prej trafikantëve të dyshuar. Ata gjetën në trupin e tij një pako heroinë.

Pas kontrollit në banesë, karabinierët sekuestruan edhe drogën tjetër të fshehur në të. Kjo është sasia më e madhe e lëndës narkotike e kapur në rajonin e Abruzios në vitet e fundit.


Shtuar 10.05.2020 14:46