Nipi i deputetit, kush është i riu ndaj të cilit u qëllua me armë zjarri në Shkodër

Një shkëmbim me armë zjari ka ndodhur mesditën e somtme në Shkodër, ku rreth orës 12:30 në rrugën e Vukatanës në Shkodër, persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të një mjeti tip “Hyundai” me drejtues Fatjon Harushën 30 vjeç.

Fatmirsisht si pasojë e të shtënave nuk ka të lënduar në njerëz, ndërkohë që disa persona janë shoqëruar dhe sipas policisë dyshohet se mes tyre mund të jenë edhe autorët e ngjarjes.

Mësohet se Fatjon Harusha është nip i deputetit Luan Harusha, ndërkohë që ende nuk dihen shkaqet e ngjarjes së rëndë.

Njoftimi i policisë:

Më datë 29.06.2020, rreth orës 12:30, në rrugën e fshatit Vukatanë, Shkodër, në rrethana ende të paqarta është qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit tip “Hyundai”, me drejtues shtetasin F. H. 30 vjeç, banues në fshatin Dobraç, Shkodër. Nga të shtënat nuk ka asnjë person të lënduar.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor.

Si rezultat e veprimeve të shpejta janë shoqëruar disa persona dhe dyshohet se mes tyre mund të jenë edhe autorët e ngjarjes.

Vijon krehja e zonës dhe grupi hetimor po vijon punën për fiksimin e çdo prove që mund të shërbejë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.


Shtuar 29.06.2020 11:28