“Ma ka thënë vetë”, Nani zbulon se ku do ta mbyllë karrierën Ronaldo

Ku do ta mbyllë karrierën Cristiano Ronaldo? Një pyetje në dukje e parakohshme, por jo për Luis Nanin. Ish-futbollisti i Manchester United dhe i përfaqësueses së Portugalisë (aktualisht pjesë e Orlando City, në Amerikë), shok skuadre me CR7 në ekipet e lartpërmendura, lëshon “bombën” mbi të ardhmen e “yllit” të Juventusit.

“Para disa vitesh, ai më tha që ndoshta do ta mbyllë karrierën duke luajtur Amerikë. Nuk është 100% i sigurt, por ekziston mundësia që të ndodhë.”

Rrëfimi i CR7, sipas fjalëve të Nanit, ka ndodhur para se portugezi të zgjidhte Juven, pra kur ende kishte dilema mbi pjesën e fundit të karrierës së tij. Për më tepër, 5 herë Topi i Artë ka kontratë me bardhezijtë deri në vitin 2022.

Është e sigurt që Amerika e tërheq Ronaldon dhe shumë herë 35-vjeçari e ka vlerësuar shumë MLS, ku shumë “yje” të futbollit kanë preferuar të kenë një përvojë në fund të karrierës së tyre (Ibrahimovic, Pirlo, Gerrard, David Villa dhe para tyre David Beckham). A do të jetë CR7 “ylli” tjetër që shkelë në Shtetet e Bashkuara?


Shtuar 18.06.2020 07:16