Ditëlindja e Nënë Terezës, Meta: Me porositë e saj të udhëhiqemi drejt së ardhmes europiane

Presidenti Ilir Meta ka përkujtuar sot ditën e lindjes së shenjtores së madhe Nënë Terezës, teksa thekson se me porositë dhe urtësinë e saj, duhet të udhëhiqemi për t’i shërbyer me përulësi çdo qytetari dhe së ardhmes europiane të Shqipërisë dhe kombit shqiptar.

Meta thekson në rrjetet sociale se “vepra e Shën Terezës është sot më shumë se kurrë frymëzim për t’u përkushtuar me dashuri ndaj njerëzve në nevojë, të braktisurve e të sëmurëve”.

Mesazhi i Presidentit Meta:

Si sot, 110 vite me parë, lindi Shën Nënë Tereza, simboli shqiptar e botëror i humanizmit e solidaritetit njerëzor, e cila me forcën e dashurisë dhe dhembshurisë së saj hyri në zemrat dhe fitoi respektin e miliona njerëzve në mbarë botën, duke i dhënë nder e krenari kombit shqiptar në kohën më të vështirë.

Vepra e Shën Terezës është sot më shumë se kurrë frymëzim për t’u përkushtuar me dashuri ndaj njerëzve në nevojë, të braktisurve e të sëmurëve, për të bërë gjithçka duhet për këdo që ka nevojë për ndihmë, solidaritet e përkrahje sociale, si dhe për t’u angazhuar fuqimisht e të gjithë bashkë për rikthimin e shpresës për një jetë dinjitoze, për punësimin e qytetarëve, zhvillimin ekonomik të vendit dhe frenuar dramën e madhe të shpopullimit.

Me porositë dhe urtësinë e Shën Terezës të udhëhiqemi për t’i shërbyer me përulësi çdo qytetari dhe së ardhmes europiane të Shqipërisë dhe kombit shqiptar. 🇦🇱


Shtuar 26.08.2020 07:59