Neymar mposht koronavirusin dhe kthehet në stërvitje me PSG-në

Sezoni për Paris Siant Germain nisi me një humbje minimale 1-0 në transfertën ndaj Lens, ndërsa trajneri gjerman Thomas Tuchel ka filluar të marrë frymë, pasi gradualisht po rikuperon futbollistët që nuk pati në dispozicion për shkak të koronavirusit.

Kështu argjentinasi Di Maria është në dispozicion të tij prej 3-4 ditësh dhe pritet të luajë nga minuta e parë në fundjavë ndaj Marseille, ndërsa së fundi edhe braziliani Neymar ia ka dalë të mposhtë koronavirusin.

Ka qenë vetë ylli i klubit francez, që nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, konfirmoi se ka rezultuar negativ në dy testet e fundit dhe i është rikthyer stërvitjes me PSG-në, ndonëse është gati e pamundur të mendohet një aktivizim i tij për sfidën e të dielës në mbrëmje.

Kjo pasi braziliani vjen pas disa ditësh pushime dhe nuk ka formën e duhur fizike, ndonëse Tuchel mund të zgjedhë ta mbajë në pankinë, me qëllim që ta aktivizojë në lojë e sipër, nëse do të jetë nevoja.

Ndërkohë mbeten ende në karantinë emra si Navas, Icardi, Mbappe, Paredes e Marquinhos, të cilët besohet se vetëm javën e ardhshme mund të jenë gati të nisin stërvitjen.


Shtuar 12.09.2020 09:03