Rezultate katastrofike, Arsenali merr vendimin për trajnerin Arteta

Mikel Arteta do të vijojë punën si trajner i Arsenalit. Pavarësisht një starti të tmerrshëm me tre humbje në tre javët e para të kampionatit, 9 gola të pësuar dhe asnjë të shënuar, tekniku 39-vjeçar spanjoll do të vijojë punën në stolin e “topçinjve”.

Lajmi është dhënë nga mediat angleze, të cilat citojnë burime pranë pronarit të Arsenalit, Stan Kroenke, i cili duket se ka vendosur t’i japë një tjetër shans trajnerit spanjoll, pavarësisht pakënaqësisë në rritje ndaj tij dhe kërkesave të tifozëve për ta shkarkuar.

Dëmtimet, merkatoja e vonuar dhe shorti i vështirë në javën e dytë e të tretë, kanë qenë rrethanat që kanë lehtësuar disi Artetën dhe kanë bindur Kroenken t’i besojë sërish drejtimin e ekipit, por natyrisht këtë herë me një ultimatum, për t’u rikthyer menjëherë te rezultatet pozitive.

Tani trajneri spanjoll do të ketë disa ditë kohë për të punuar me skuadrën, që do të rikthehet në fushë vetëm më 11 shtator për t’u përballur me Norëichin, ndërsa kalendari në shtator është relativisht i lehtë, pasi rezervon vetëm një ndeshje të komplikuar, derbin ndaj Tottenhamit më 26 shtator.

Gjithsesi misioni për të rikthyer “topçinjtë” te rezultatet nuk duket aspak i lehtë për Artetën, që përveç shumë lojtarëve të rinj në organikë, nuk ka qartësuar akoma idetë e tij, pasi nga ndeshja në ndeshje ka ndryshuar shpesh skemën, duke krijuar konfuzion edhe te lojtarët me eksperiencë.


Shtuar 30.08.2021 15:29