Zvicra do të vendosë kufizime për fishekzjarrët që shkaktojnë shpërthime të forta, pasi nisma për ndalimin e tyre mori mbështetjen e shumicës në referendumin e zhvilluar të dielën, më 29 nëntor.
Rreth 60% e votuesve votuan në favor të nismës, e cila u shqyrtua përmes mekanizmit zviceran të demokracisë së drejtpërdrejtë. Synimi është reduktimi i dëmeve që zhurmat, mbetjet dhe aksidentet mund t’u shkaktojnë njerëzve, kafshëve dhe mjedisit.
Të lidhura
None found
Qeveria dhe parlamenti, që ishin kundër masave të reja, do të kenë dy vjet për të hartuar rregullat konkrete. Në këtë proces do të përcaktohet edhe se cilat kategori fishekzjarrësh do të klasifikohen si tepër të zhurmshme.
Produktet me nivel më të ulët zhurme, mes tyre shkopinjtë xixëllues dhe qirinjtë romakë, do të mbeten të lejuara. Organizatorët e aktiviteteve të mëdha mund të përfitojnë përjashtime, ndërsa përdorimi individual i fishekzjarrëve të zhurmshëm do të ndalohet.
Përkrahësit e nismës përdorën postera me imazhe të maceve dhe qenve të frikësuar, që mbanin putrat mbi veshë. Sipas tyre, fishekzjarrët shkaktojnë stres te njerëzit dhe kafshët, ndërsa mbetjet e tyre shpesh përfundojnë nëpër fusha.
Roman Huber, trajner qensh dhe pjesë e komitetit të referendumit, tha se fishekzjarrët nuk përdoren vetëm gjatë festave, por edhe disa ditë para dhe pas ngjarjeve të rëndësishme kombëtare. Për këtë arsye, sipas tij, ato janë kthyer në një shqetësim që zgjat gjatë gjithë vitit.
“Njerëzit mund të thonë se fishekzjarrët janë thjesht një mënyrë për t’u argëtuar. Por nuk është argëtim kur njerëzit dhe kafshët vuajnë”, u shpreh Huber.
Ndërkohë, kundërshtarët e propozimit e konsideruan atë një ndërhyrje në lirinë individuale. Ata argumentuan se fishekzjarrët janë pjesë e rëndësishme e festimeve tradicionale, përfshirë natën e ndërrimit të viteve dhe Ditën Kombëtare të Zvicrës.
Para votimit, ligjvënësi Andrea Caroni, nga Partia Liberale e qendrës së djathtë (FDP), deklaroi se mbështetësit e ndalimit po përpiqeshin t’ua hiqnin të tjerëve kënaqësinë e festimeve.
“Fishekzjarrët janë një shprehje e gëzimit”, tha Caroni, duke theksuar se përdorimi i tyre tashmë i nënshtrohet rregullave të rrepta.
“Nuk duhet ta kufizojmë më tej argëtimin e njerëzve, aq më pak përmes një ndalimi të përgjithshëm në shkallë kombëtare”, deklaroi ai përpara referendumit.







