Sulmuesi i Chelseat, Mykhailo Mudryk, që ka humbur gati dy vjet karrierë për shkak të një testi pozitiv për doping, ka rrëfyer për herë të parë hapur versionin e tij të historisë. Ai ka ngritur akuza të forta kundër Kombëtares së Ukrainës dhe Federatës së Futbollit të Ukrainës, duke i bërë përgjegjëse për rastin që i ndërpreu aktivitetin.
Në një intervistë dy-orëshe dhënë gazetarit Dmitri Gordon dhe publikuar në kanalin e tij në YouTube, lojtari i Chelseat tregoi rrethanat që çuan në rezultatin pozitiv për meldonium, dënimin me pezullim, problemet psikologjike dhe shpenzimet e mëdha për mbrojtjen ligjore.
Të lidhura
None found
Pezullimi i tij ka nisur në nëntor të vitit 2024 dhe sipas parashikimeve do të zgjasë deri në korrik të vitit 2026. Chelsea e transferoi nga Shakhtar Donetsk në janar të vitit 2023 për rreth 100 milionë euro. Ndeshjen e fundit para pezullimit e luajti në nëntor 2024 kundër Heidenheimit në Ligën e Konferencës, ku shënoi në fitoren 2-0 të skuadrës londineze.
Me Chelsean ai ka mbledhur gjithsej 73 paraqitje, në të cilat ka shënuar 10 gola dhe ka dhënë 11 asistime.
Sulmuesi ukrainas thotë se nuk kishte dëgjuar kurrë për meldoniumin para se të dilte pozitiv. Ai beson se lënda e ndaluar i ka hyrë në trup gjatë kohës që ndodhej me kombëtaren e Ukrainës.
Mudryk deklaroi se kjo substancë gjendet vetëm në Evropën Lindore dhe se mund të ketë depërtuar në organizmin e tij vetëm në vendin ku po qëndronte, pra në Ukrainë, pasi në Angli nuk ka lëndë të tilla.
Gazetari ukrainas Igor Burbas ka paraqitur një teori që, sipas raportimeve, është bërë pjesë e rëndësishme e mbrojtjes së futbollistit. Sipas kësaj teorie, në nëntor 2024, gjatë grumbullimit me përfaqësuesen, Mudryk kishte marrë një injeksion me qeliza staminale për rigjenerimin e indeve, pasi kishte ndier shqetësime në stërvitje.
Dyshimet lidhen me prejardhjen e këtyre qelizave, që pretendohet se vinin nga një lopë e ekspozuar ndoshta ndaj meldoniumit. Megjithatë, kjo mbetet një hipotezë e ngritur në kuadër të rastit dhe jo një fakt i vërtetuar.
Ai foli edhe për mënyrën se si përgatitej kombëtarja para ndeshjeve, duke pretenduar se lojtarëve u jepeshin kombinime tabletash pa u treguar çfarë përmbanin.
Sipas rrëfimit të tij, nutricionistët u jepnin futbollistëve një përzierje tabletash para ndeshjeve, i hidhnin në filxhan dhe ata nuk e pyesnin se çfarë po merrnin.
Kur u pyet drejtpërdrejt nëse e konsideron Kombëtaren e Ukrainës përgjegjëse për testin pozitiv të dopingut, Mudryk u përgjigj pa hezitim se po, pikërisht ajo.
Ai kritikoi gjithashtu presidentin e Federatës së Futbollit të Ukrainës, Andrii Shevchenko, duke pretenduar se mori pothuajse asnjë mbështetje prej tij gjatë procedurave. Futbollisti akuzoi edhe federatën për rrjedhje të informacioneve lidhur me çështjen.
Në fund, Mudryk u shpreh se ata bënë sikur po ndihmonin, por në realitet nuk dhanë asnjë ndihmë, madje krijuan më shumë probleme se sa zgjidhje dhe u distancuan kur ai kishte më shumë nevojë për mbështetje.








