Ish-ministri i Kulturës, Astrit Haraqija, raportohet se u arrestua të shtunën në mbrëmje gjatë operacionit antidrogë “Heshtja” të Policisë së Kosovës.
Bashkë me Haraqijën, sipas raportimeve, u arrestuan edhe pesë persona të tjerë. Ata dyshohen për përfshirje në një grup të organizuar që trafikonte narkotikë.
Të lidhura
None found
Grupi, ku dyshohet se bënte pjesë edhe ish-ministri, dyshohet se merrej me trafikimin dhe shpërndarjen e kokainës.
Policia e Kosovës njoftoi se gjatë aksionit u sekuestruan 1.6 kilogramë kokainë, vlera e mundshme e së cilës në treg llogaritet në rreth 111 mijë euro.
Sipas Policisë, aksioni pasoi një hetim të gjatë, të kryer me masa të veçanta hetimore. Hetimi dyshohet se ka zbuluar mënyrën e veprimit të një grupi të organizuar, me strukturë dhe nivele të qarta hierarkike.
Për momentin bëhet fjalë për dyshime dhe arrestime; përgjegjësinë penale të të dyshuarve duhet ta vërtetojnë organet e drejtësisë.








