Katërmbëdhjetë persona humbën jetën dhe 30 u plagosën në një aksident që përfshiu 23 automjete në qytetin e Fujairah, në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ministria e Brendshme njoftoi se përplasja ndodhi pak para mesnatës, në hyrje të emiratit lindor, ndërsa qarkullimi ishte i ngadalësuar, sipas BBC.
Të lidhura
None found
Aksidenti nisi kur shoferi i një kamioni humbi kontrollin dhe goditi një automjet tjetër. Më pas, kamioni u përmbys dhe u përplas me disa mjete të tjera në rrugë.
Në përplasje u përfshinë 23 automjete gjithsej, përfshirë pesë kamionë. Njëri prej tyre mori flakë pas goditjes dhe zjarri u përhap me shpejtësi te mjetet e tjera.
Sipas policisë së Fujairah, të 30 të plagosurit u dërguan në spital. Gjysma janë larguar pasi morën ndihmë mjekësore, ndërsa pjesa tjetër vazhdon trajtimin. Autoritetet konfirmuan se viktimat dhe të plagosurit janë të kombësive të ndryshme, mes tyre emiratase, omane, indiane, braziliane, pakistaneze, jordaneze dhe egjiptiane.
Konsullata indiane në Emiratet e Bashkuara Arabe konfirmoi se në mesin e viktimave ka shtetas indianë. Ajo u shprehu ngushëllime familjeve të prekura dhe njoftoi se po punon me autoritetet lokale për t’u ofruar ndihmë.
Për identifikimin e disa viktimave, autoritetet po kryejnë analiza të ADN-së për shkak të gjendjes së rëndë të trupave. Policia, ekipet mjekësore dhe shërbimet e mbrojtjes civile mbërritën menjëherë në vendngjarje për të shuar zjarrin, për të shpëtuar të plagosurit dhe për të siguruar zonën.







