Negociatat dyditore mes Ukrainës dhe Rusisë në Abu Dabi, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, u mbyllën sot. Takimi i fundit zgjati më pak se dy orë, ndërsa rezultati i bisedimeve mbetet i paqartë.
Asnjëra nga palët nuk ka bërë të ditur nëse është shënuar përparim. Këto ishin bisedimet e para të drejtpërdrejta mes përfaqësuesve ukrainas dhe rusë që nga shkurti, në kuadër të përpjekjeve të reja të administratës amerikane për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Të lidhura
None found
Në Abu Dabi u mbajtën gjithashtu konsultime me përfaqësues të Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe, Italisë, NATO-s dhe Bashkimit Europian. Ato u zhvilluan veçmas bisedimeve trepalëshe mes SHBA-së, Ukrainës dhe Rusisë.
Më herët, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kishte deklaruar se Moska pretendon të ketë marrë tashmë nën kontroll edhe gjysmën e pjesës së Donbasit që kontrollohet aktualisht nga Ukraina.
Sipas Zelenskyt, pala ruse tha se kishte pushtuar gjysmën e asaj pjese të Donbasit që mbetet nën kontrollin ukrainas. Ai tregoi se ekipi i tij e kundërshtoi këtë pretendim, duke thënë se nuk e dinte mbi çfarë baze ishte ngritur dhe se kishte pamje filmike, fotografi e dëshmi të tjera që vërtetonin se territoret vazhdonin të kontrolloheshin nga Ukraina.
Presidenti ukrainas e cilësoi mospërputhjen mes qëndrimeve të dy palëve si një nga pengesat kryesore të negociatave. Ai shtoi se kreu i Kremlinit, Vladimir Putin, “jeton në një realitet tjetër”.
Ndërkohë, përpjekjet diplomatike nuk i ndalën sulmet. Rusia goditi sërish me dronë disa rajone të Ukrainës, duke dëmtuar infrastrukturën energjetike, ndërtesa banimi, shkolla dhe kopshte fëmijësh.







