Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, ka parë sot nga afër punimet në pesë segmentet e rrugës “Sokoli” në fshatin Plemetin. Projekti po financohet bashkërisht nga komuna dhe Ministria për Komunitete dhe Kthim.
Sipas Thaçit, investimi synon t’ua përmirësojë kushtet e jetesës banorëve të zonës, ku jetojnë kryesisht pjesëtarë të komuniteteve rom, egjiptian dhe ashkali. Ai falënderoi ministren për mirëkuptimin që mundësoi bashkëfinancimin e punimeve dhe tha se komuna po përpiqet t’ua bëjë jetën më të lehtë qytetarëve të kësaj ane.
Të lidhura
None found
Thaçi njoftoi se në territorin e Obiliqit janë në zhvillim 12 projekte, katër prej të cilave përbëjnë investime të mëdha. Ai tha se puna po vazhdon në gjithë komunën, ndonëse administrata aktuale ka trashëguar buxhetin nga qeverisja e mëparshme.
Sipas kryetarit, mbi shtatë projekte pritet të përfundojnë brenda këtij viti, ndërsa të tjerat do të vijojnë në vitet e ardhshme. Projektet e reja të planifikuara nga qeverisja aktuale pritet të nisin në vitin 2027, me synimin për t’ua lehtësuar përditshmërinë qytetarëve.







