Shoqata e Mjekëve Shqiptarë në Maqedoni ka shprehur pakënaqësi për mënyrën si u formuan organet e Odës së Mjekëve të Maqedonisë. Sipas saj, në mbledhjen konstituive nuk u respektuan vullneti dhe përfaqësimi i mjekëve shqiptarë që përfaqësohen nga Shoqata.
Në reagim, Shoqata thekson se as zëvendëskryetari, as anëtari i zgjedhur i Këshillit Drejtues nuk e përfaqësojnë atë. Sipas saj, ata nuk kanë mandat të shprehin qëndrimet apo vullnetin e mjekëve shqiptarë.
Të lidhura
None found
Shoqata kundërshton edhe përzgjedhjen e delegatëve përmes listave, duke thënë se nuk janë zbatuar dispozitat e Statutit dhe parimi i përfaqësimit prej 20%. Ajo pohon se ky parim nuk u respektua as gjatë zgjedhjes së organeve drejtuese të Odës, ndaj nuk u sigurua përfaqësimi i duhur i mjekëve shqiptarë.
Sipas Shoqatës, zbatimi i Statutit, përfaqësimi i drejtë dhe barazia në vendimmarrje janë kushte themelore për funksionimin demokratik dhe institucional të Odës së Mjekëve.
Ajo njofton se do të përdorë të gjithë hapat dhe mekanizmat ligjorë që ka në dispozicion, përfshirë nisjen e procedurave përkatëse në Gjykatën Administrative. Qëllimi, sipas reagimit, është të evidentohen e të konstatohen shkeljet gjatë procesit dhe të kërkohet mbrojtja e të drejtave të përfaqësimit të mjekëve shqiptarë.
Dje, Oda e Mjekëve të Maqedonisë zgjodhi Nikolla Jankullovskin kryetar të ri, ndërsa Idriz Oranën nënkryetar.








