Drejtori i Kombëtares së Kosovës, Muharrem Sahiti, ka bërë të ditur se synimi i Dardanëve në dy sfidat e fundit të Ligës së Kombeve është grumbullimi i minimumi katër pikëve. Një rezultat i tillë do t’i ndihmonte Kosovës të siguronte vendin e dytë në Grupin B3.
Para përballjes së së shtunës me Izraelin, Sahiti ka folur për përgatitjet e skuadrës, duke vlerësuar atmosferën në kamp dhe angazhimin e futbollistëve e stafit teknik për dy ndeshjet vendimtare.
Të lidhura
None found
“Gjendja është shumë e mirë. Djemtë po punojnë me përkushtim, ndërsa stafi është i angazhuar maksimalisht për t’i përgatitur futbollistët për këto dy ndeshje të rëndësishme. Përballja e parë është me Izraelin dhe ka rëndësi të madhe për ne, jo vetëm për të siguruar qëndrimin në Ligën B, por edhe për të synuar vendin e dytë. Pozita e dytë do të na mundësonte të ishim në vazon 2 në shortin e kualifikimeve. Futbollistët janë plot energji dhe po presim me optimizëm. Plani ynë është që në këto dy ndeshje të marrim së paku katër pikë për ta siguruar vendin e dytë. Besojmë se mund t’ia dalim”, deklaroi Sahiti.
Gjatë intervistës është diskutuar edhe për futbollistët e rinj të grumbulluar për herë të parë nga përzgjedhësi Franco Foda. Sipas Sahitit, aktivizimi i tyre dhe minutat që mund të marrin varen tërësisht nga vendimi i selektorit dhe stafit të tij.
“Për këtë mund të vendosin vetëm selektori dhe stafi i tij. Ata po u japin shumë mundësi lojtarëve të rinj dhe për këtë jemi jashtëzakonisht mirënjohës, sepse po bëjnë një punë të shkëlqyer. Duhet të presim për të parë se kur dhe në çfarë mënyre do t’u japin hapësirë. Prania e këtyre futbollistëve është e rëndësishme si për ne, ashtu edhe për vetë lojtarët, ndërsa për minutazhin vendos selektori”, theksoi ai.
Sa i takon repartit të mbrojtjes, drejtori i Kombëtares pranoi se skuadra ka disa mungesa të rëndësishme. Megjithatë, ai beson se stafi teknik do të gjejë kombinimet e duhura, duke përmendur rikthimin e Kreshnik Hajrizit dhe afrimin e Kamberit si mundësi shtesë.
“Mungesat në mbrojtje janë një shqetësim për të gjithë. Megjithatë, që nga dita e parë stafi po punon për të gjetur zgjidhjet më të mira dhe besoj se do t’i bëjë zgjedhjet e duhura. Rikthimi i Kreshnik Hajrizit është shumë i rëndësishëm, pasi ai ka kaluar një dëmtim dhe tani është sërish pjesë e kombëtares. Kemi edhe ardhjen e Kamberit, si dhe mbrojtës të tjerë në dispozicion të selektorit. Edhe në të kaluarën kemi pasur mungesa, por ai ka ditur të bëjë zëvendësimet e nevojshme. Shpresojmë që edhe këtë herë të gjejë alternativat e duhura dhe ta përballojë situatën në mënyrën më të mirë”, u shpreh Sahiti.
Ai foli gjithashtu për gjendjen e Edon Zhegrovës te Juventusi, duke e konsideruar të padrejtë hapësirën e kufizuar që futbollisti kosovar po merr në klubin italian. Sahiti pret që Zhegrova të ketë ndikim në dy ndeshjet e ardhshme të Kosovës.
“Lojtarët e tjerë janë në formë të mirë edhe në klubet e tyre. Për Vedatin nuk ka shumë për të thënë, pasi përveçse është një futbollist i rëndësishëm, ai është edhe kapiten dhe lider, duke ditur ta menaxhojë situatën me bashkëlojtarët si në fushë, ashtu edhe jashtë saj. Sa i përket Edonit, edhe ne e shohim se nuk po i jepet hapësira që meriton në klub. Sipas mendimit tim, kjo është një padrejtësi, sepse kur aktivizohet ai sjell ndryshim dhe bën diferencën në skuadër. Shpresoj që edhe kontributi i tyre të jetë i madh në këto dy ndeshje”, tha në fund Sahiti.
Kosova do të luajë të shtunën ndaj Izraelit, në kuadër të xhiros së pestë të Ligës së Kombeve. Ndeshja e fundit e këtij edicioni për Dardanët do të jetë kundër Irlandës. Përfaqësuesja synon ta mbyllë grupin në një pozicion sa më të lartë, ndërsa vendi i dytë do t’i siguronte përfshirjen në vazon e dytë për shortin e kualifikimeve të ardhshme.






