Gjatë debatit parlamentar për Raportin e Progresit, deputetja e Aleancës Time Kadrijaj kritikoi punën e Qeverisë. Sipas saj, rezultatet konkrete mungojnë dhe vendi nuk po shënon përparim.
Kadrijaj u shpreh se raporti duhet vlerësuar përtej retorikës politike dhe përpjekjeve të Qeverisë për t’i paraqitur vlerësimet si arritje.
Të lidhura
None found
“Raportit të Progresit për vitin 2026 do t’i shkonte më shumë emri raport i regresit, pasi aty nuk ka progres. Ky nuk është raport i opozitës. Shqetësues është hendeku mes zotimeve të Qeverisë dhe asaj që qytetarët përballojnë çdo ditë”, tha ajo.
Deputetja vuri në pikëpyetje edhe arsyetimet e Qeverisë për reformat e parealizuara. Ajo kujtoi se më herët si pengesa ishin përmendur pandemia dhe zhvillimet gjeopolitike.
“Më habit që ende i referoheni të kaluarës dhe pengesave që lidhen me zhvillimet gjeopolitike. Në raste të ndryshme, ministrat kanë thënë se pandemia pengoi reformat, ndërsa më pas është përmendur edhe lufta në Ukrainë si shkak për mosrealizimin e tyre”, deklaroi Kadrijaj.
Një tjetër pjesë e kritikave të saj lidhej me zbatimin e marrëveshjeve me Bashkimin Evropian, në veçanti me atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Kadrijaj kërkoi që përfaqësuesit e Qeverisë të qartësojnë nëse e kanë pranuar marrëveshjen dhe kush mban përgjegjësi për zbatimin e saj.
“BE-ja kërkon që të zbatohet marrëveshja për Asociacionin. A mund të na thoni, o vëlla, a e keni pranuar apo jo, kur Bashkimi Evropian po kërkon zbatimin e saj? Ju e keni arritur këtë marrëveshje. Mos vallë do të thoni se edhe marrëveshja për Zajednicën është përgjegjësi e partive të tjera opozitare? Përgjegjësia është e juaja, sepse ju e keni pranuar”, tha Kadrijaj.







