Të mërkurën, Kombëtarja e Kosovës zhvilloi stërvitjen e tretë nën drejtimin e Franco Fodës, në kuadër të përgatitjeve për përballjen e rëndësishme me Izraelin.
Atmosfera në kampin e “Dardanëve” është pozitive. Lojtarët po stërviten me përkushtim para dy ndeshjeve të fundit të vitit në Ligën e Kombeve.
Të lidhura
None found
Pas seancës, mbrojtësi Lindrit Kamberi dhe mesfushori Milot Avdyli vlerësuan ecurinë e punës dhe shprehën besim për të marrë rezultat pozitiv të shtunën.
Kamberi është njëri nga tri lojtarët e rinj të përfshirë nga Franco Foda në listën e këtij grumbullimi. Me të janë edhe Bleon Kurtulusi dhe Enis Rexhepi, për të cilin kjo është hera e parë që ftohet në Kombëtaren A të Kosovës.
Ndeshja Kosovë-Izrael do të luhet të shtunën, më 14 nëntor, në stadiumin “Fadil Vokrri”, me fillim në orën 15:00. Rezultati është me rëndësi të veçantë për synimet e Kosovës në Grupin B3 të Ligës së Kombeve.
Pas katër takimeve, Kosova dhe Republika e Irlandës kanë nga pesë pikë, ndërsa Austria kryeson me tetë. Izraeli mbyll renditjen me dy pikë.
Franco Foda ka deklaruar më herët se synimi kryesor i Kosovës është të mbetet në Ligën B dhe se fitorja ndaj Izraelit është shumë e rëndësishme për arritjen e këtij objektivi.
Pas ndeshjes në Prishtinë, Kosova do të luajë takimin e fundit të këtij edicioni në udhëtim kundër Republikës së Irlandës, më 17 nëntor në Dublin.








