Deputeti i Partisë Demokratike Belind Këlliçi ka denoncuar një vendim të Byrosë së Kuvendit, i cili, sipas tij, parashikon t’i jepen Arbjan Maznikut 250 milionë lekë shpërblim.
Në reagimin e tij publik, Këlliçi e lidh pagesën me përfshirjen e Maznikut në riorganizimin territorial, që çoi në heqjen e 15 bashkive nga harta. Ai e quan vendimin skandaloz dhe pretendon se shpërblimi jepet për rolin politik të Maznikut në këtë proces.
Të lidhura
None found
Këlliçi thotë se e kundërshtoi vendimin në Byronë e Kuvendit të Shqipërisë. Sipas tij, nisma u shqyrtua dhe u miratua nga përfaqësuesit e mazhorancës, ndërsa dokumentet nuk japin arsye të qarta për shumën dhe nuk përmbajnë shpjegime bindëse.
Deputeti demokrat kundërshton edhe reformën territoriale. Ai paralajmëron se heqja e 15 bashkive do të dëmtojë banorët e zonave përkatëse dhe do të thellojë shpopullimin. Sipas Këlliçit, projekti u hartua për përfitime elektorale, pa u marrë parasysh vullneti i qytetarëve, të cilët kanë protestuar kundër tij.
Reagimin e tij, Këlliçi e lidhi edhe me shpërblimin e policëve pas përplasjeve me protestuesit. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se përdor paratë publike për të favorizuar persona që, sipas tij, i kanë shërbyer qeverisë.
“250 milionë lekë nuk do të shkojnë as për pensionistët, as për familjet në vështirësi ekonomike, as për studentët që mezi mbyllin muajin, por për shërbëtorin e Edi Ramës për heqjen nga harta të 15 bashkive”, u shpreh Këlliçi.
Në fund, deputeti i PD-së u bëri thirrje qytetarëve të vazhdojnë protestat dhe të mos heqin dorë nga kërkesa për largimin e qeverisë Rama.
Reagimi i plotë:
Kryebashkëkryetari i 5D, Arbjan Mazniku, i cili i shërbeu Ramës për të zhdukur 15 bashki, shpërblehet me 250 milionë lekë!!!Pasi shpërbleu policët që rrahën, dhunuan, plagosën e torturuan të rinjtë e studentët protestues, Edi Rama ka vendosur t’i japë 250 milionë lekë Arbjan Maznikut për kontributin e tij në zhdukjen e 15 bashkive.E kundërshtova këtë akt si të papranueshëm dhe skandaloz në Byronë e Kuvendit të Shqipërisë, ku sot u shqyrtua vendimi i Edi Ramës. Heqja e 15 bashkive do të sjellë pasoja shkatërruese për banorët e atyre zonave dhe do të thellojë shpopullimin. Ky është një projekt politik me synime elektorale, që shpërfilli qytetarët dhe zërin e tyre. Ata protestuan dhe kundërshtuan me forcë arbitraritetin e kryer pa miratimin e tyre. Por Rama e kaloi në parlament me forcën e kartonave.Kryeministri më i korruptuar në Europë e shton talljen me qytetarët dhe shqiptarët, duke i akorduar Maznikut shpërblim prej 250 milionë lekësh.Në dokumentin e miratuar sot në Byro me votat e “rilindasve” nuk justifikohet asnjë zë dhe nuk jepet asnjë shpjegim bindës. Këto 250 milionë lekë nuk do të shkojnë për pensionistët, familjet në vështirësi ekonomike apo studentët që mezi mbyllin muajin, por për njeriun që i shërbeu Edi Ramës për të hequr 15 bashki nga harta.Regjimi nuk njeh kufij, as në arrogancën ndaj njerëzve, as në privilegjet dhe përfitimet për vete.Qytetarët kanë edhe një arsye më shumë për të vijuar protestën dhe për të mos hequr dorë nga kërkesa që kjo klikë hajdutësh, e pashembullt në botë, të largohet sa më parë!








