Tri pikë të rëndësishme për Bayern Munich në javën e nëntë të Bundesligës, ku bavarezët mposhtën Mainzin në transfertë me shifrat 2-1. Suksesi i çon në 21 pikë dhe i mban në krye të kampionatit gjerman, në rrugën për mbrojtjen e titullit.
Joshua Kimmich dhe Lennart Karl ishin autorët e golave që i dhanë fitoren skuadrës mike, ndërsa Phillip Tietz ngushtoi diferencën për vendasit në fund të takimit.
Të lidhura
None found
Avantazhi i Bayernit erdhi që në minutën e 14-të. Pas marrjes dhe kontrollit të një pasimi në hyrje të zonës, Joshua Kimmich goditi saktë drejt këndit të sipërm të portës, duke vendosur rezultatin 1-0.
Në minutën e 40-të, Jae-Sung Lee dërgoi topin në rrjetë me kokë, pas një harkimi nga një goditje standarde. Gëzimi i Mainzit nuk zgjati, pasi shqyrtimi i aksionit nga VAR-i solli anulimin e golit për pozicion jashtë loje.
Edhe pas pushimit, bavarezët vijuan të ndërtonin mundësi shënimi dhe në minutën e 57-të arritën në 2-0. Harry Kane gjeti me një pasim Lennart Karl brenda zonës dhe talenti i Bayernit e përfundoi aksionin me një goditje të ulët në qendër të portës.
Rezultati mund të ishte thelluar më tej nga miqtë, të cilët kërcënuan me Joshua Kimmich, Harry Kane dhe Alphonso Davies. Një tjetër rast i mirë iu paraqit Dayot Upamecano në minutën e 86-të, por tentativa e tij me kokë u ndal nga traversa.
Në minutat përmbyllëse, Phillip Tietz shënoi me kokë dhe e çoi rezultatin në 2-1. Ky gol, megjithatë, nuk i mjaftoi Mainzit për t’i shpëtuar humbjes, ndërsa Bayern Munich ruajti kryesimin pas nëntë javësh.







