Një 60-vjeçar nga Gostivari është privuar nga liria, pasi dyshohet se për një kohë të gjatë e detyronte nënën e tij 80-vjeçare, e cila lëviz me karrocë invalidore, të kërkonte lëmoshë në rrugë dhe më pas i merrte paratë e mbledhura për t’i përdorur për nevojat e veta.
Më 6 nëntor 2026, Njësiti Kombëtar për Shtypjen e Kontrabandimit të Emigrantëve dhe Trafikimit me Njerëz ka paraqitur kallëzim penal ndaj N.N. (60), nga Gostivari, për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprës penale “Trafikim me njerëz”.
Të lidhura
None found
Hetimet kanë nxjerrë dyshime se gjatë viteve 2025 dhe 2026, i dyshuari ka përfituar nga gjendja e rënduar shëndetësore dhe varësia e nënës së tij. Për shkak të paaftësisë fizike, 80-vjeçarja nuk ishte në gjendje t’i kryente e vetme aktivitetet e përditshme.
Sipas dyshimeve, 60-vjeçari e çonte në mënyrë të përsëritur të moshuarën në një vend në Gostivar dhe e detyronte të lypte. Ai qëndronte pranë saj për ta mbikëqyrur e kontrolluar dhe, pasi ajo mblidhte para, dyshohet se ia merrte ato me forcë për përdorim personal.
Bazuar në urdhrin e Gjykatës Themelore Penale në Shkup, policia ushtroi kontroll në banesën dhe hapësirat e tjera të të dyshuarit në Gostivar, ku edhe e arrestoi.
Gjatë operacionit, autoritetet sekuestruan përkohësisht telefona celularë dhe para, që dyshohet se lidhen me veprën penale.
Hetimi për këtë rast vijon nga organet kompetente.







