26 efektivë policie janë pezulluar e ndëshkuar me masë disiplinore përgjatë ditëve të fundit pasi dyshohen se kanë bashkëpunuar dhe kanë lejuar kultivimin e kanabisit.
Veprimet u ndërmorën pas asgjësimit të 7 mijë bimëve kanabis në dy fshatra të Vlorës dhe Shkodrës. Përgjatë vitit ka patur një numër të lartë të policëve të arrestuar e proceduar, të cilët dyshohen se kanë bashkëpunuar me krimin.
Bashkëpunimi me grupet kriminale dhe individët që kultivojnë lëndë narkotike mbetet një nga problematikat më shqetësuese në radhët e Policisë së Shtetit gjatë viteve të fundit.
26 punonjës policie janë pezulluar apo ndëshkuar me masë disiplinore këtë javë pasi akuzohen se me mosveprimet e tyre kanë favorizuar kultivimin e kanabisit në qarqet e Vlorës dhe Shkodrës.
Në qytetin bregdetar 6 efektivë janë pezulluar nga detyra dhe pritet ti nënshtrohen procedimit penal, ndërsa 16 të tjerëve iu është komunikuar masë disiplinore nga sektori i standardeve profesionale.
Masat ndëshkuese janë ndërmarrë pas konstatimit të sipërfaqeve të mbjella me rreth 7 mijë bimë kanabisi në dy parcela në fshatrat Vërmik dhe Bolenë.
Pas këtij operacioni në prangat e policisë ka rënë një agjent i policisë kriminale të Durrësit, pasi është kapur duke drejtuar këtë fugon të mbushur me rreth 1 mijë bimë kanabisi, të cilat ishin pjesërisht të djegura.
Agjenti është konstatuar në Tepelenë, duke drejtuar mjetin me targa të vjedhura.
Ndërkohë në Shkodër, 4 efektivë janë proceduar pasi dyshohet se kanë bashkëpunuar me kultivuesit e kanabisit.
Rreth 270 punonjës policie përgjatë vitit 2020 janë përfshirë në krime të ndryshme pasi në mënyrë direkte apo indirekte, me mosveprimet e tyre, kanë favorizuar grupet kriminale.
Nga janari deri në shtator 2020 janë arrestuar e proceduar 270 punonjës policie, të cilët janë konstatuar të përfshirë në 150 vepra penale nga më të ndryshmet.
Krahas favorizimit të kultivuesve të kanabisit, shkelja tjetër më e evidentuar është ajo e favorizimit të ndërtimeve pa leje kundrejt ryshfetit.
Vetëm gjatë një operacioni në Durrës, u arrestuan 17 efektivë, të cilët kishin marrë para qytetarëve për të lejuar ndërtimet pa leje.
Përgjatë vitit ka patur 6 mijë ankesa ndaj punonjësve të policisë, 1 mijë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të shkuar.
Numrin më të madh të ankesave e mban muaji prill dhe maj, përkatësisht me 2020 dhe 1020 të tilla, të cilat kanë qenë për veprimet e bluve në kohën e karantinës.
POLICËT NË VEPRA PENALE:
150 vepra penale të evidentuara
270 punonjës arrestuar e proceduar
6 mijë ankesa në SHÇBA për policët