Kosova jep lajmin zyrtar, Muriqi nuk do të jetë i gatshëm

Federata e Futbollit të Kosovës ka konfirmuar se Vedat Muriqi nuk do të luajë në tre ndeshjet e ardhshme të Kosovës këtë muaj, përfshirë edhe atë ndaj Maqedonisë së Veriut të enjten.

FFK përmes një komunikate ka konfirmuar lajmin e keq për Kombëtaren e Kosovës. Muriqi ka pasur probleme në testimet e fundit që i ka bërë te klubi i Lazios.

”Përkundër insistimit të madh të Federatës së Futbollit të Kosovës, dëshirës së madhe të futbollistit dhe bashkëpunimit korrekt të klubit të Lazios, Vedat Muriqi megjithatë e ka të pamundshme të paraqitet për Kombëtaren e Kosovës në tri ndeshjet në vijim.

Futbollisti ka pasur sot testet e fundit në klubin e Lazios dhe në kokën e tij gjithçka ishte e qartë që pas këtyre testeve ai do të nisej për Kosovë.

Mirëpo, në testin e fundit u kuptua edhe njëherë definitivisht që nuk ka asnjë gjasë që ai të jetë i gatshëm qoftë për ndeshjen e së enjtes kundër Maqedonisë së Veriut, qoftë për dy ndeshjet pasuese që Kombëtarja jonë i zhvillon në kuadër të Ligës së Kombeve.

Informata që ka rrjedhur në faqen zyrtare të Lazios, se futbollisti do të jetë në grumbullim me Kombëtaren edhe pse është një gabim, e konfirmon që gjithçka ishte planifikuar që Muriqi sot të udhëtojë për Kosovë dhe të jetë me ekipin, mirëpo testet e sotme e treguan qartë se gjendja fizike nuk e lejon atë që në asnjë formë të jetë pranë bashkëlojtarëve të ekipit Kombëtar”, thuhet në komunikatën e shtëpisë kosovare të futbollit.


Shtuar 6.10.2020 13:23